Familjarët e Liridona Ademajt janë parë në hyrje të objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në 09:30, ka nisur seanca gjyqësore ndaj bashkëshortit të Liridona Ademajt, Naim Murseli si dhe dy të dyshuarve të tjerë Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Vëllai i Ademajt ka tentuar që ti dorëzojë Gjykatës kërkesën për zhvarrimin e trupit të motrës së tij.
Vëllai i Liridonës, Leonardi, tregon se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.
Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.
“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.
Ai ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.
Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.