Një aksident automobilistik ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Zeus të Shkodrës, ku një 27-vjeçare ka humbur kontrollin e automjetit të cilin po drejtonte dhe është përplasur me një shtyllë elektrike.
Për pasojë, kanë mbetur të plagosura shoferja e automjetit e identifikuar me inicialet E.G. dhe dy të reja që ishin pasagjere në makinë, të identifikuara si A. D., 21 vjeçe dhe B. G., 21 vjeçe.
“Rreth orës 14:50, në fshatin Zues, shtetasja E. G., 27 vjeçe, ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe si pasojë automjeti është përplasur me një shtyllë elektrike, në anë të rrugës. Nga përplasja, janë dëmtuar 27-vjeçarja dhe pasagjeret në automjet, shtetaset A. D., 21 vjeçe dhe B. G., 21 vjeçe’,- njofton policia.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e aksidentit, ku vijon puna për nxjerrjen e drejtueses, nga automjeti i përplasur, me qëllim transportimin në spital.
Ndërkaq, 2 pasagjeret janë në spital, në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.