Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i përvishet Felajt: E zezë është zonja, i zi është edhe ligji që propozon…


Gazment Bardhi i është përveshur nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, lidhur me propozimin e saj për ndryshimet ligjore për sa i përket komisioneve hetimore.

Në një deklaratë jashtë sallës s Kuvendit, kreu i grupit parlamentar demokrat tha se ‘e zezë është zonja, i zi është ligji’.

Bardhi sqaroi se propozimi i bërë nga Felaj në thelb është antikushtetues.

“Shikoni zonjën që e ka propozuar dhe ligjin, e zezë është zonja , i zi është dhe ligji. Vetëm Ermonela Felaj mund ta propozonte një ligj të tillë që në thelb nuk është ligji i Kushtetutës, por i urrejtjes. Për sa i përket të drejtës sonë për ngritjen e komisioneve hetimore është antikushtetues dhe anti-parimore.  Shiko autoren e projektligji  dhe ligjin. I zi autori dhe i zi edhe ligji.” – tha Bardhi.

Ai e quajti ligj tipi komunist propozimn e bërë nga Felaj. Ligji i depozituar në Kuvend nga Felaj të enjten e shkuar, parashikon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare.

Drafti parashikon gjithashtu që të mbyllë dyert e këtyre komisioneve për publikun përmes interpretimeve për mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, atij shtetëror apo mosdëmtimin e ‘moralit shoqëror’.

Sipas ligjitnë fuqi  “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, mjafton kërkesa e 35 deputetëve dhe Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit.

Sipas draftit të Felajt, Kuvendi është i detyruar ta ngrejë komisionin në varësi të objektit të tij; kur çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit, kur objekti fokusohet në çështje dhe subjekte konkrete dhe kur ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes.

Mbledhje të mbyllura parashikohen gjatë dëshmive në komision, me arsyetimin se publiciteti mund të dëmtojë dëshmitarët ose të dhënat që paraqiten në komision.

Vetë Felaj ka pohuar se ndryshimet e propozuara mbrojnë dëshmitarët që të mos trajtohen si të akuzuar.