Numri i të vrarëve palestinezë nga fushata masive ushtarake izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 15.899, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, në një konferencë për media tha se më shumë se 42 mijë njerëz të tjerë u plagosën në sulm.
Al-Qudra tha se 70 për qind e viktimave të agresionit izraelit në Gaza janë gra dhe fëmijë.
“Forcat e pushtimit shkatërruan plotësisht 56 qendra shëndetësore (në Gaza) dhe arrestuan 35 persona nga personeli mjekësor”, tha al-Qudra, sipas AA.
Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të bëjnë presion ndaj autoriteteve izraelite që të lirojnë personelin mjekësor nga burgjet.
“Ne bëjmë thirrje për mbrojtjen e spitaleve, stafit mjekësor dhe humanitar, për sigurimin e korridoreve të sigurta që lejojnë hyrjen e furnizimeve mjekësore dhe karburantit, si dhe për transferimin e personave të lënduar (jashtë Gazës për trajtim mjekësor)”, tha al-Qudra.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit ishte 1.200.