Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin i ka kërkuar Izraelit të mbrojë popullsinë civile në Gaza, duke paralajmëruar se dështimi për ta bërë këtë mund t’i kthejë fitoret taktike në humbje strategjike.
“Në këtë lloj lufte, qendra e gravitetit është popullsia civile. Dhe nëse i shtyn ata në krahët e armikut, ju zëvendësoni një fitore taktike me një disfatë strategjike,” tha Austin të shtunën në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare.
“Kështu që unë ua kam bërë të qartë udhëheqësve të Izraelit në mënyrë të përsëritur se mbrojtja e civilëve palestinezë në Gaza është një përgjegjësi morale dhe një imperativ strategjik,” shtoi ai.
Austin tha se ai personalisht u kërkoi udhëheqësve izraelitë të shmangin viktimat civile, të shkurajojnë retorikën e papërgjegjshme, të parandalojnë dhunën nga kolonët në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe të rrisin qasjen e ndihmave humanitare.
Ai theksoi se çdo shtet duhet t’i përgjigjet sulmit, duke iu referuar sulmit ndërkufitar të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas kundër Izraelit dhe theksoi se çdo shtet ka për detyrë të mbrojë civilët gjatë konflikteve të armatosura.
Shefi i mbrojtjes tha gjithashtu se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugëdalje e mundshme nga konflikti.
“Pa një horizont shprese, konflikti izraelito-palestinez do mbetet një motor paqëndrueshmërie, pasigurie dhe vuajtjeje njerëzore,” paralajmëroi ai.
Duke përsëritur mbështetjen e SHBA-së për Izraelin, ai tha se Uashingtoni do “mbetej miku më i ngushtë i Izraelit në botë.
“Mbështetja jonë për sigurinë e Izraelit është e panegociueshme. Dhe nuk do të jetë kurrë ndryshe,” shtoi ai.