Administriata e Presidentit Biden i dërgoi të hënën një paralajmërim urgjent Kongresit mbi nevojën për të miratuar dhjetra miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke thënë se pa këto fonde, luftimet e Kievit ndaj Rusisë mund të mos vazhdojnë dot më.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, e cila u bë e ditur për publikun, Drejtoresha e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young paralajmëroi se në fund të këtij viti, Shteteteve të Bashkuara do t’i mbarojnë fondet për të dërguar armatime dhe ndihmë për Ukrainën, duke shtuar se një gjë e tillë do “t’u priste gjunjët” ukrainasve në fushën e betejës.
Ajo shtoi se Shteteve të Bashkuara u kanë mbaruar fondet që kanë përdorur për të mbështetur ekonominë e Ukrainës dhe “nëse ekonomia e Ukrainës shembet, Ukraina nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë luftimet. Paratë na kanë mbaruar, por pothuajse po na mbaron dhe koha”, shkroi ajo.
Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e një paketë ndihme prej afro 106 miliardë dollarësh, ku përfshihet ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera, por është përballur me reagim të vështirë në Kapitol, ku po rritet skepticizmi mbi nivelin e ndihmës ndaj Kievit. Madje edhe republikanët që mbështesin paketën e ndihmës, po këmbëngulin, duke vënë si kusht për miratimin e saj, ndryshimin e politikave për të ndaluar vërshimin e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë.
Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, ka miratuar një paketë ndihme vetëm për Izraelin, që po lufton kundër Hamasit në Gazë. Shtëpia e Bardhë ka ruajtur qërdrimin se duhet miratuar të gjitha fondet.
Kongresi tashmë ka lëvruar 111 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë 67 miliardë dollarë fonde për armatime, 27 miliardë dollarë për të mbështetur ekonominë dhe 10 miliardë dollarë ndihmë humanitare.
Zonja Yound thotë se i gjithë ky fond, me përjashtim të 3 për qind nga fondi për armatimet, ka mbaruar që në fund të nëntorit.
Administrata e Presidentit Biden ka thënë se gjatë javëve të fundit ka ngadalësuar ritmin e ndihmës ushtarake për Kievin, me qëllim që ajo të zgjasë derisa Kongresi të miratojë fondet e tjera.
“Nuk kemi më para për të mbështetur Ukrainën në këtë luftë. Ky nuk është një problem që i takon vitit tjetër. Koha që të ndihmojmë Ukrainën demokratike të luftojë ndaj agresionit rus, është tani. Është koha që Kongresi të veprojë”, shkroi zonja Young.
Letra vjen pasi zyrtarë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare informuan në një takim me dyer të mbylluara, në 29 nëntor, udhëheqësit më të lartë të Dhomës së Përfqësuesve dhe Senatit mbi nevojën për miratimin e paketës së ndihmës.
Takimi u zhvillua në një kohë kur Kongresi është përfshirë në debate mbi paketën e ndihmës prej afro 106 miliardë dollarësh që ka kërkuar Presidenti Biden, që përfshin 61 miliardë fonde për Ukrainën, por që po pengohet nga kërkesat e republikanëve për të ndryshuar politikat e sigurisë në kufirin SHBA-Meksikë./VOA