Kryetari i PD-së Lulzim Basha, u takua me kongresmenin French Hill, anëtar i Komitetit për punë të jashtme, Zëvendës Kryetar i Komiteti të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i Komitetit të inteligjencës.
Në këtë takim, Basha e ka njohur kongresmenin Hill me situatën në vend dhe rajon dhe ka ndarë shqetësimin për situatën e tensionuar, që kulmoi me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.
Mbështetja për drejtësinë dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit, janë prioritete të PD-së, ka theksuar Bash dhe ka prezantuar edhe iniciativën e tij për vetingun e politikanëve.
Basha shprehu shqetësimin për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan dhe konkretisht në Kosovë, Bosnje, dhe së fundmi edhe në Mal të Zi, me konfigurimin e shumicës së re qeverisëse.
Basha ka vlerësuar vëmendjen e shtuar të SHBA-së dhe NATO-s në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ndërsa ka mbështetur zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar mbi planin franko-gjerman të mbështetur dhe nga SHBA.
U diskutua edhe për impaktin që lufta në Ukrainë ka pasur në rajon.
Basha, edhe në cilësinë e reporterit të Këshillit të Europës për rindërtimin e Ukrainës, e njohu me rezolutën e përgatitur prej tij, që gëzon një mbështetje të gjerë në Këshillin e Europës.