Një grup që përfaqëson 83 media spanjolle ka ngritur një padi prej 550 milionë eurosh kundër pronarit të Facebook Meta Platforms, duke përmendur konkurrencën e pandershme në tregun e reklamave në një rast që mund të përsëritet në të gjithë Bashkimin Evropian.
Shoqata e mediave AMI tha në një deklaratë të hënën se padia u ngrit kolektivisht nga gazetat në një gjykatë tregtare të premten dhe pretendohet se Meta ka shkelur rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave midis 2018 dhe 2023.
Gazetat argumentojnë se përdorimi “masiv” dhe “sistematik” i Metës i të dhënave personale të përdoruesve të platformës së saj Facebook, Instagram dhe Ëhatsapp i jep atij një përparësi të padrejtë në hartimin dhe ofrimin e reklamave të personalizuara, për të cilat ata thonë se përbën konkurrencë të pandershme.
Zyra e shtypit e Meta-s nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Një burim i Meta-s i njohur me këtë çështje tha se kompania nuk ka marrë ende dokumentet ligjore.
Ankuesit, duke përfshirë Prisa – e cila boton gazetën kryesore të Spanjës El Pais – dhe Vocento, pronari i ABC, pretendojnë se shumica e reklamave të vendosura nga Meta përdorin të dhëna personale të marra pa pëlqimin e shprehur nga klientët.