Vendosni fjalën kyçe....

Arti në zi, ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare artisti i njohur Mirush Kabashi


Aktori i njohur i skenës shqiptare, artisti Mirush Kabashi është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare pas një sëmundjeje që e mundonte prej shumë kohësh.

Kabashi ka luajtur mbi 100 personazhe në teatër e kinematografi.

Kush ishte Mirush Kabashi

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës ndërsa origjina e familljes së tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe film.

Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri e ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

Ai u diplomua për aktrim në vitin 1970 në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty punoi deri në vitin 1994, duke mbajtur edhe rolin e drejtorit në vitet 1991-1993.

Më tej Kabashi punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artsitike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombetar. Nga viti 1985, me periudha te nderprera, eshte aktivizuar si pedagog i “Mjeshterise se Aktorit” prane Akademise se Arteve. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma.

Në një intervistë për mediat vite më parë ai ka rrëfyer lidhjen e tij me artin dhe si i ka lindur pasioni për të.

“Mbaj mend që në fëmijëri i kam pasur shumë qejf jo vetëm shfaqjet teatrore por edhe filmat. Tani, i kujtoj pak me buzëqeshje kur mendoj që një film psh Hamletin e kam parë mbi 15 herë me lloj-lloj pozicionesh, në kinemanë verore apo atë dimërore. Gjithmonë kam pasur dëshirë të shihja filma, të admiroja dhe të diskutoja për artistët pjesëmarrës. Pastaj afrimi me aktrimin qe një okazion.” – pohonte vite më parë artisti i njohur.

Një nga interpretimet më të veccanta të Mirush Kabashit mbetet ‘Apologjia e vërtetë e Sokratit’, shfaqje të cilën ai e ka dhënë për vite me radhë në skena të ndryshme dhe që është vlerësuar art.

Pjesë nga vepra “Apologjia e vërtetë e Sokratit”

 

Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Ndër shumë rolet e tij në kinematografi mund të përmenden filmat Emblema e dikurshme (1976), Koncert në vitin 1936 (1978), Shoqja nga fshati (1980), Dora e ngrohtë (1983), Kohë e largët (1983), Zëvendësi i grave (1987), Telefoni i një mëngjesi (1987), Binarët (1987), Edhe ashtu edhe kështu (1989), Ne dhe Lenini (2008).