Vendosni fjalën kyçe....

Serbët kërkuan shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore përmes një peticioni, reagon ministri Krasniqi


Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka deklaruar se ministria që ai drejton nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me nismën për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri përmes peticionit siç parashihet me udhëzim administrativ.

Deklarimi i tij vjen pasi serbët e veriut kanë formuar grupet e tyre, përmes të cilave kanë paraqitur sot paradite kërkesat te kryesuesit e kuvendeve komunale në katër komunat e veriut, për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave përmes peticionit.

Krasniqi ka sqaruar se Udhëzimi Administrativ, përcakton qartë procedurën e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Ai ka thënë se secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës.

“Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar, i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Ai ka theksuar se janë në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’, por që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga kryesuesit e Kuvendeve Komunale të Komunave respektive apo anëtarët e grupit iniciues siç parashihet me udhëzim administrativ.

Serbët e veriut, të cilët nuk e kishin pranuar dikur mundësinë e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore përmes peticionit, janë dorëzuar sot.

Ata kanë formuar grupet e tyre, përmes të cilave kanë paraqitur sot paradite kërkesat te kryesuesit e kuvendeve komunale në katër komunat e veriut të Kosovës, për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave përmes peticionit.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglanin, ka bërë të ditur për KosovaPress se nuk ka pranuar një kërkesë të tillë.

“Nuk është e saktë. Ata nuk janë lajmëruat me kërkesë tek unë”, ka thënë shkurt Uglanin.