Numri i viktimave nga një shpërthim vullkanik në Indonezi ka shkuar në 22, pasi ekipet e shpëtimit gjetën nëntë trupa të tjerë.
Kërkimet për 10 alpinistët e zhdukur në malin Marapi rifilluan të martën pasi u ndërprenë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Zyrtarët thanë se nëntë trupa ishin nxjerrë pasdite, me një prej tyre ende të zhdukur. Dymbëdhjetë viktima të tjera të plagosur janë duke u trajtuar në spital.
Shpërthimet e shpeshta vullkanike kanë penguar përpjekjet e shpëtimit për ditë të tëra.
Ahmad Rifandi, kreu i postit të monitorimit të Marapi, i tha agjencisë së lajmeve AFP se pesë shpërthime ishin regjistruar vetëm të martën.
“Marapi është ende shumë aktiv. Ne nuk mund të shohim lartësinë e kolonës sepse është e mbuluar nga reja,” tha ai.
Ekipet e shpëtimit i thanë BBC News Indonesia se ata kanë përfituar nga dritaret e qetësisë relative për të kërkuar të zhdukurit dhe përpjekjet për të kërkuar për alpinistin e fundit të zhdukur do të rifillojnë të mërkurën.
Vullkani hodhi një re hiri 3 km në ajër të dielën, duke mbuluar me hi fshatrat përreth.
Gjatë shpërthimit ndodheshin 75 alpinistë në zonë, shumica e të cilëve janë evakuuar dhe kanë marrë trajtim për djegie.
Mali Marapi, që do të thotë “Mali i Zjarrit”, është ndër më aktivët nga 127 vullkanet e Indonezisë dhe është gjithashtu i popullarizuar në mesin e alpinistëve. Disa shtigje u rihapën vetëm qershorin e kaluar për shkak të shpërthimeve të hirit nga janari në shkurt. Shpërthimi më vdekjeprurës i Marapit ndodhi në vitin 1979, kur vdiqën 60 njerëz.