Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon 30 vite burg për 4 të pandehurit e vrasjes të Behar Sofisë dhe 7 vite për ekzekutorin


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar nga 30 vite burg për secilin prej 4 të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Behar Sofisë, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Ernejt Shytin, vetëm 7 vite burg.

Konkretisht SPAK ka kërkuar nga 30 vite burg për të pandehurit:

Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi, Xhuljano Visha

Ndaj Ernejt Shyti, personi që qëlloi mbi Sofinë, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, Prokuroria e Posaçme kërkoi 7 vite burg.

Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit të 2021, afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori, pasi e ndoqi disa metra pranë shtëpisë së tij, i doli përpara 66-vjeçarit dhe e qëlloi.

Ekzekutori, Ernejt Shyti u arrestua në Mal të Zi 2 javë pas atentatit. Në dëshminë e dhënë në GJKKO, ai ka treguar me detaje rolin e të pandehurve të tjerë duke rrëfyer se do të paguhej me 5 milionë lekë. Ndërsa pas tij u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e tjerë Xhuljano Visha, 28 vjeç, Leonard Xhixha, Bujar Leza dhe Skënder Vathi. Ky i fundit dyshohet si organizator i atentatit që i mori jetën Behar Sofisë. Ndërsa personi që dyshohet se dha urdhrin për ekzekutimin e Behar Sofisë, Jemin Sheraj, është ende në kërkim.