Vendosni fjalën kyçe....

“Unioni i Biznesit Farmaceutik”, Konferencë në Tiranë mbi uljen e prodhimit të barnave dhe mungesave në treg


Shoqata “Unioni i Biznesit Farmaceutik” UBF organizoi në Tiranë konferencën e saj të parë “PharmaHorizon” me temën “Avancimi i kujdesit shëndetësor përmes shpërndarjes së barnave, aksesit të pacientëve dhe tendecat e të ardhmes.”

Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga autoritetet shtetërore të niveleve të ndryshme, bota akademike, shoqatat e pacientëve, media, shoqëria civile dhe sipërmarrja.

Konferenca u hap nga kryetari i shoqatës UBF, Dorian Sadiku. Në fjalën e tij ai theksoi se kjo është përpjekja jonë e parë për të krijuar kushtet për një bashkërendim të strukturuar midis të gjithë aktorëve relevantë për sistemin e kujdesit shëndetësor.

Ai evidentoi rolin e rëndësishëm të kompanive të industrisë farmaceutike dhe theksoi se përpjekja për një treg funksional është në të mirën e jetës së qytetarëve tanë.

Sadiku siguroi se UBF është partnere e besueshme dhe e gatshme të japë kontributin e saj në të mirën e shëndetit publik bashkë me të gjithë aktorët e tjerë.

“Jemi bërë të gjithë bashkë që të diskutojmë problematikat që po hasim në tregjet ndërkombëtare, në mënyrë që të përballojmë këtë valë, që po godet vendin tonë. Dhe një nga sfidat kryesore që po hasim sot janë tkurrja e prodhimit të barnave dhe për pasojë mungesa e barnave në treg. Shqipëria dhe jo vetëm, po e vuan këtë sfidë. Në këtë pikë, ne duam të japim kontributin tonë në mënyrë që t’i japim funksionalitet sa më të mirë shërbimit shëndetësor me pacientin në qendër të vëmendjes”, u shpreh presidenti i Unionit të Biznesit Farmaceutik, Dorian Sadiku.

Konferencën e përshëndetën, ndër të tjerë, edhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, znj. Delina Ibrahimi, si dhe kryetari i Shoqatës Europiane të Distributorëve Farmaceutikë (GIRP), z. Bernd Grabner dhe Drejtori i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, z. Grant Van Cleeve.

Konferenca u zhvillua permes 3 paneleve ku fokusi kryesor i të cilave ishte ajo e sfidave aktuale të sistemit shëndetësor në vendin tonë, i parë nga këndvështrimi i industrisë farmaceutike, dhe mbi të gjitha drejt një çështje të veçantë si ajo e aksesit të pacientëve për barna.  Kjo ditë gjithashtu shënon një moment të rëndësishëm për të sjellë në vëmendjen e të gjithëve, rëndësinë e modernizimit dhe trendet digjitale të së ardhmes në këtë sektor.