Një bankë e madhe zvicerane ka pranuar se ka ndihmuar taksapaguesit amerikanë dhe të tjerët për të fshehur miliarda dollarë nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së (IRS), njoftoi të hënën Departamenti i Drejtësisë (DOJ).
Sipas prokurorëve amerikanë, ‘Banque Pictet’ mbante afërsisht 5.6 miliardë dollarë në 1,637 llogari për qytetarët amerikanë, duke i ndihmuar ata të shmangin pagesën e IRS-së që përfshin rreth 50.6 milionë dollarë taksa midis viteve 2008 e 2014.
Banka me bazë në Gjenevë, divizioni i Grupit Pictet 218-vjeçar, ka hyrë në një marrëveshje të shtyrë të ndjekjes penale me Departamentin e Drejtësisë dhe ka rënë dakord të paguajë rreth 122.9 milionë dollarë në kthim dhe gjoba si pjesë e marrëveshjes me prokurorët.
“Ky rast duhet të japë një mesazh të qartë për të tjerët që përpiqen të fshehin pasuritë dhe të ardhurat e tyre në parajsat fiskale. Agjentët tanë specialë janë ekspertë në ndjekjen e parave dhe ata janë më të mirët në zbulimin e skemave që përpiqen të mashtrojnë sistemin e taksave të SHBA-së,” tha shefi i Hetimit Kriminal të IRS, Jim Lee.
‘Banque Pictet’, e cila mbikëqyr më shumë se 720 miliardë dollarë në asetet e klientëve, është e specializuar në menaxhimin e fondeve të klientëve me vlerë të lartë neto. Ajo gjithashtu ka zyra në Luksemburg, Singapor dhe Bahamas.
Sipas hetuesve, ‘Banque Pictet’ dhe kompania e saj mëmë, ‘Pictet Group’, përdorën “një shumëllojshmëri mjetesh” për të ndihmuar klientët amerikanë të shmangnin taksat, duke përfshirë lejimin e subjekteve në parajsat fiskale për të hapur llogari të padeklaruara dhe lejimin e klientëve për të hapur llogari të sigurimit të jetës në emra të ndryshëm nga emrat e tyre, shkruan RT.
Huadhënësi mbante postën e klientëve lidhur me llogarinë në bankë, në vend që t’ua dërgonte klientëve në SHBA, në mënyrë që “të ndihmonte të sigurohej që dokumentet që pasqyrojnë ekzistencën e llogarive mbetën jashtë Shteteve të Bashkuara dhe jashtë mundësive të autoriteteve tatimore të SHBA-së.
Banka zvicerane gjithashtu themeloi dhe menaxhoi entitete në parajsa fiskale që “nuk kishin qëllim biznesi, por ekzistonin vetëm për të ndihmuar klientët e taksapaguesve amerikanë të Pictet Group të fshehin llogaritë dhe asetet e tyre në parajsat fiskale nga autoritetet tatimore të SHBA-së”s, thanë hetuesit.
Si pjesë e marrëveshjes me Departamentin e Drejtësisë, banka ka rënë dakord të bashkëpunojë me hetimin.
“Pictet është e kënaqur që e ka zgjidhur këtë çështje dhe do vijojë të ndërmarrë hapa për të siguruar që klientët e saj të përmbushin detyrimet e tyre tatimore,” tha banka në një deklaratë.
Uashingtoni ka akuzuar prej kohësh bankat zvicerane se kanë ndihmuar amerikanët e pasur të shmangin taksat. Në vitin 2014, Credit Suisse ra dakord të paguante 2.5 miliardë dollarë gjoba për ndihmën e taksapaguesve për të fshehur paratë nga IRS në një komplot që zgjati dekada.