Sali Berisha tradhton aleatët italianë dhe çon në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen me Italinë për emigrantët e firmosur mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama më 6 nëntor.
Ish kryeministri ka gënjyer dhe ka bërë të kundërtën, ndryshe nga sa i kishte premtuar zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Italian Antonio Tajani në bisedën telefonike të realizuar pak ditë më parë, ku burime të sigurta nga shteti fqinj për Report Tv dhe Shqiptarja.com bënë të ditur se Berisha i kishte premtuar që nuk do të protestonte dhe as ta çonte në Gjykatë Kushtetuese.
Këtë premtim Berisha ia kishte dhënë edhe deputetit të forcës së djathtë italiane, ‘Forca Italia’ Alesandro Batilokio i cili mori pjesë në kuvendin kombëtar të thirur nga ish kryeministri më 2 dhjetor 2023 bëjnë të ditur burimet për Report Tv.
Ndërsa sot, (6 dhjetor) 4 ditë pas premtimit të fundit që kishte dhënë, Sali Berisha ka suprizuar aleatët italianë me dorëzimin e padisë në Gjykatë Kushtetuese.
Në Gjykatë Kushtetuese u regjistrua edhe padia e Partisë Demokratike zyrtare, kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët por ndryshe nga Sali Berisha, Lulzim Basha nuk kishte premtuar asgjë.
Padia e Rithemelimit mban firmën e 30 deputetëve, si atyre të Berishës edhe atyre të Bardhit, ndërsa dorëzimi u bë nga deputetja e Lezhës, Lindita Metaliaj e shoqëruar dy këshilltarët, Franci Nuri i Rithemelimit dhe Marash Logu i Gazment Bardhit. Padia e Partisë Demokratike, si subjekt politik, mban datën 1 dhjetor dhe është firmosur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Në padinë e grupit Berisha-Bardhi, deputeti Tritan Shehu ka dalë kundër Berishës dhe nuk e ka firmosur, po ashtu edhe Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Sorina Koti dhe Bujar Leskaj nuk e kanë hedhur firmën. Padisë i janë bashkuar edhe dy deputetët e Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho, por vihet re se mungon firma e Monika Kryemadhit
Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.