Izraeli i ka hequr vizën koordinatores humanitare të OKB-së, Lynn Hastings. Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen e njoftoi këtë në X, me argumentin se ajo nuk foli kundër Hamasit për sulmet e 7 tetorit.
“Ne nuk do të heshtim më përballë njëanshmërisë së OKB-së”, shkroi ai në një postim.
Hastings ka qenë një zë kritik ndaj ofensivës së Izraelit në Gaza dhe ka udhëhequr thirrjet për rritjen e ndihmës humanitare në Gaza. Heqja e vizës, vjen vetëm një ditë pas deklaratarve të Hastings, e cila tha se me operacionet tokësore izraelite të përqendruara tashmë në Gazën jugore, kushtet për ofrimin e ndihmës “nuk ekzistojnë” dhe “një skenar edhe më djallëzor” po afrohet
Ministri izraelit Cohen i ka dhënë Hastings, e cila ndodhet në Jerusalemin Lindor, dy javë për t’u larguar nga vendi.
“Kushdo që nuk e dënon Hamasin për masakrën e 1200 izraelitëve, rrëmbimin e të moshuarve dhe foshnjave, torturat dhe përdhunimet e tmerrshme dhe përdorimin e palestinezëve si mburoja njerëzore, por dënon Izraelin, një vend demokratik që mbron qytetarët e tij, nuk mund t’i shërbejë OKB dhe nuk do të hyjë në Izrael”, shkruan Cohen në X.
Ndërkohë ka pasur edhe një deklaratë nga zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, i cili ka shprehur mbështetjen e plotë për Lynn Hastings. Zyrtari tha për CNN se Antonio Guterres ka “besim të plotë tek ajo”.
“Unë vetëm mund të përsëris besimin e plotë të sekretarit të përgjithshëm në Hastings, në mënyrën se si ajo u soll dhe në mënyrën se si e bëri punën e saj,” tha Dujarric.
Sulmi i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor vrau 1200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Zyrtarët e Hamasit në Gaza thonë se të paktën 16,248 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite, duke përfshirë rreth 7,000 fëmijë.