Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Emigracionit në Britaninë e Madhe jep dorëheqjen: Nuk jam dakord me politikën e qeverisë për dërgimin e emigrantëve


Ministri i Emigracionit në Britaninë e Madhe, Robert Jenrick ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka konfirmuar vetë Jenrick, i cili ka thënë se ka mosmarrëveshje të mëdha me qeverinë e Rishi Sunak në lidhje me drejtimin e politikës për emigracionin.

Vendimi i dorëheqjes erdhi pasi qeveria publikoi legjislacionin që synon të mbështesë politikën e azilit në Ruandë, e cila është shpallur e paligjshme nga Gjykata e Lartë.

Ministrat thonë se legjislacioni do të parandalojë sfida të mëtejshme ligjore për emigrantët, por Jenrick tha në letrën e tij të dorëheqjes se projektligji “nuk shkon aq larg sa duhet”.

Jenrick ka sugjeruar më parë se qeveria mund të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë mënyrë projektligji për dërgimin e emigrantëve në Ruandë lejon ministrat të shpërfillin pjesë të ligjit të të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas planit të qeverisë, i shpallur për herë të parë në vitin 2022, disa azilkërkues që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, do të dërgohen në Ruandë. Kjo është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të penguar emigrantët që të kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.