Vendosni fjalën kyçe....

Panamaja miraton ligjin që ndalon koncesionet, rrezikon 50 miliardë dollarë në Arbitrazh


Panamaja po shikon një ulje të mprehtë të parashikimit të saj për rritjen ekonomike në vitin 2024, pasi një vendim gjykate e shtyu qeverinë të urdhërojë mbylljen e minierës fitimprurëse të bakrit të grupit kanadez First Quantum (FM.TO), tha një zyrtar qeveritar për Reuters.

Rritja e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) mund të jetë 1-2% vitin e ardhshëm, nga një vlerësim i mëparshëm prej 5%, tha në një intervistë të premten Hernan Arboleda, drejtor i politikave publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

Presidenti Laurentino Cortizo njoftoi javën e kaluar se qeveria do lëvizë për të mbyllur minierën ‘Cobre Panama’ të First Quantum, e cila përbën rreth 5% të PBB-së së vendit, pasi Gjykata Supreme vendosi se kontrata ishte jokushtetuese.

Panamezët kanë protestuar ashpër kundër minierës që nga tetori, duke argumentuar se kontrata ishte shumë bujare dhe First Quantum që atëherë ka humbur mbi gjysmën e kapitalizimit të saj të tregut.

First Quantum tha të premten se ka nisur arbitrazhin ndërkombëtar kundër Panamasë. Disa ekspertë llogarisin se Panamaja do duhet të paguajë të paktën 50 miliardë dollarë nëse humbet çështjen, e barasvlefshme me gati 70% të PBB-së.

Administrata e Cortizo-s po kontakton me agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit për t’i siguruar ato se Panamaja ka ende një kuadër ligjor të shëndoshë që lejon investitorët të bëjnë biznes.

Përpara vendimit të gjykatës supreme, Standard &Poors rishikoi perspektivën e Panamasë në negative nga e qëndrueshme për rreziqet e mundshme ndaj besimit të investitorëve dhe rritjes ekonomike, nëse kontrata rezulton e pavlefshme. JPMorgan paralajmëroi gjithashtu se gjasat që Panamaja të humbasë vlerësimin e saj për nivelin e investimeve do rriteshin ndjeshëm.

Panamaja miratoi kohët e fundit një ligj që ndalon të gjitha koncesionet dhe zgjerimet e reja të minierave. Arboleda tha se vendi ka ende mundësi të tjera tërheqëse investimi, por nuk dha shembuj konkretë.

Për First Quantum, zhvillimet në Panama mund të jenë një përsëritje e përvojës së saj në Republikën Demokratike të Kongos. Kompania u largua nga kombi afrikan në vitin 2012 pasi kontrata e tij e minierave u anulua.