Teksa ngritja e komisioneve hetimore parlamentare për të hetuar kryeministrin Rama janë kthyer në kalin e betejës së deputetëve demokratë të grupeve Berisha-Bardhi, të hënën, një deklaratë e kreut të grupit parlamentar demokrat ndaj nënkryetares së Kuvendit Ermonela Felaj, riktheu vëmendjen te propozimi i kësaj të fundit në emër të socialistëve për ligjin që përfshin komisionet hetimore parlamentare.
Bardhi e quajti ligjin të zi e po kështu të zezë edhe Felajn që kishte depozituar ligjin në fjalë. Sipas tij, ligji ishte antikushtetues e komunist që i heq opozitës të drejtën e ligjshme për të hetuar punën e kryeministrit Rama.
“Shikoni zonjën që e ka propozuar dhe ligjin, e zezë është zonja , i zi është dhe ligji. Vetëm Ermonela Felaj mund ta propozonte një ligj të tillë që në thelb nuk është ligji i Kushtetutës, por i urrejtjes. Për sa i përket të drejtës sonë për ngritjen e komisioneve hetimore është antikushtetues dhe anti-parimore. Shiko autoren e projektligji dhe ligjin. I zi autori dhe i zi edhe ligji.” – tha Bardhi.
Çfarë ndryshimesh në ligjin për komisione hetimore propozojnë socialistët
Propozimi në fjalë i depozituar në Kuvend nga Felaj parashikon kufizimin e të drejtave të opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare. Përveç kësaj, drafti në fjalë parashikon gjithashtu zhvillimin e mbledhjeve të këtyre komisioneve me dyer të mbyllura për publikun.
Në draft ka interpretime mbi mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, atij shtetëror apo mosdëmtimin e “moralit shoqëror”, që shërbejnë si argumente të deputetëve socialistë për kufizimet e propozuara.
Në draftin e depozituar nga Felaj thuhet se Kuvendu është i detyruar të ngrejë komisionin hetimor në varësi të objektit të tij në rastet kur çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit, kur objekti përqendrohet në çështje dhe subjekte konkrete dhe kur ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes.
Për zhvillimin e mbledhjeve të komisoneve me dyert të mbyllura për publikun, socialistët argumentojnë se publiciteti mund të dëmtojë dëshmitarët ose të dhënat që paraqiten në komision.
Kjo parashikon që mbledhjet do zhvillohen me dyer të mbyllura në rastet kur përfshihet jeta personale e dëshmitarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur bëhen referenca që lidhen me sekretin e biznesit/ tregtar apo me sekretin shtetëror.
Ndërsa pjesë e këtij propozimi është edhe zhvillimi me dyer të mbyllura i mbledhjeve të komisioneve hetimore në rastet kur “publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit”.
Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe vetëm nmë rastet kur komisioni e gjykon të nevojshme. Gjithashtu, ligji i ri detyron të gjithë anëtarët e komisioneve hetimore përkatëse që të mbajnë të fshehta informacionet që dalin nga këto mbledhje me dyer të mbyllura.