Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi në emisionin “Opinion” se opozita do përshkallëzojë aksionin e saj nëse shumica nuk respekton rregullat.
Bardhi shprehet se situata do kthehet në normalitet nëse kërkesat e tyre do të miratohen.
Kreu i Grupit Parlamentar nuk e lidh aksionin e opozitës me nisjen e hetimeve ndaj Sali Berishës.
Pjesë nga diskutimi:
Gazment Bardhi: Që nga nisja e aksionit tonë, i kemi bërë të qarta se kush janë kërkesat tona. Së pari, ka të bëjë me ngritjen e komisioneve hetimore, së dyti me çuarjen përpara të Reformës Zgjedhore. Ne, si opozitë kemi propozuar ndryshimin e përbërjes së anëtarëve të opozitës. Së treti, deputetë të ndryshëm të opozitës kanë propozuar 31 projektligje që nisin nga lufta kundër korrupsionit dhe deri tek ligji për minimumin jetik. Ne nuk po kërkojmë asnjë favor, ngritja e komisioneve është një e drejtë që na takon.
Blendi Fevziu: Jeni realisht në zbatim të parlamentarizimit apo po tentoni të krijoni kaos për të krijuar një imazh të keq të Ramës apo më e keqja për të kaluar një krizë të brendshme?
Gazment Bardhi: Gjërat nuk janë siç duket në Shqipëri dhe ky është fakt. Në momentin që mazhoranca respekton të drejtat kushtetuese të opozitës, situata kthehet në normalitet. Unë e kam paralajmëruar kryetaren e kuvendit, i kanë thënë se nuk do të ketë normalitet nëse ju injoroni kërkesat e opozitës.
Blendi Fevziu: A ka lidhje situata në parlament me fillimet e hetimeve për kryetarin e PD-së dhe me situatën e krijuar nga ky hetim?
Gazment Bardhi: 0 lidhje me atë çështje, të plotësojnë kërkesat dhe do të shikoni që përsa i përket opozitës, situata në kuvend, normalizohet menjëherë. Si kundër, protestën në Kuvend e kemi nisur në 5 Tetor, ndërkohë që veprimtaria e SPAK ndaj Berishës ka nisur në 21 Tetor. Propozimi për këtë aksion është bërë në grupin parlamentar. Ne do të vazhdojmë t’i shfaqim opinionit publik shqiptar se çfarë është i aftë të bëjë kryeministri i një vendi. Do ta përshkallëzojmë aksionin tonë. Qytetarët kanë më shumë arsye për të protestuar se sa vetë ato të opozitës. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë.
Blendi Fevziu: Sa komisione hetimore keni kërkuar dhe sa janë rrëzuar?
Gazment Bardhi: Janë kërkuar gjithsej 8 komisione hetimore, 3 prej të cilave nuk kanë kaluar fare për diskutim as në seancë plenare. Vetëm në këtë sesion, janë rrëzuar 3 kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore.