Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou i tha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan të enjten se të dy vendet kanë mendime të ndryshme për disa çështje, por ata duhet të “punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore për të mirën e popujve tonë”.
“Ngjarjet tragjike me të cilat u përballën vendet tona këtë vit dhanë një rast për të vërtetuar se ndjenja e solidaritetit është një tipar i përbashkët që bashkon dy popujt. Kjo e vërtetë është një bazë e fortë për të mbështetur vullnetin e ndërsjellë politik për të shmangur tensionet në marrëdhëniet tona,” i tha Sakellaropoulou homologut të saj turk i cili ndodhet në Athinë për bisedime me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis si pjesë e Këshillit të 5-të të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Greqi-Turqi.
“Nëse marrim parasysh atë që po ndodh rreth nesh, është e nevojshme që Greqia dhe Turqia të punojnë së bashku për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe ligjin ndërkombëtar. Duke qenë të vetëdijshëm për faktin se ka çështje për të cilat dy vendet nuk bien dakord, është e rëndësishme të ruhet dhe konsolidohet klima pozitive”.
Në të njëjtën frymë u përgjigj edhe Erdogan, duke thënë se ky Këshill “do të jetë fillimi i një epoke të re në marrëdhëniet Greqi-Turqi”.
“Ministrat e dy vendeve do të zhvillojnë takime konstruktive. Ne do diskutojmë se çfarë hapash mund të ndërmarrim për të gjitha çështjet…Ne do vazhdojmë rrugën tonë në një mënyrë më të favorshme. Mendoj se do të jetë më mirë për të ardhmen e të dyja palëve që të zhvillojnë bisedime duke e parë gotën gjysmë plot”, tha ai.