Mes kaosit, tymuese dhe rënies së tavolinave nga deputetët e opozitës, mazhoranca socialiste në pushtet miratoi me forcën e kartonëve buxhetin e vitit 2024. Me 74 vota pro dhe 4 kundër, buxheti u hodh në votim dhe u miratua brenda pak minutave. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla hodhi në votim projektbuxhetin dhe paketën fiskale e cila është miratuar me shpejtësi dhe pa diskutime. Ky është ndër rastet e rralla kur buxheti kalon pa diskutime në Parlament ndërsa vitet e shkuara, seanca ishte maratonë dhe zgjaste për orë të tëra.
Buxheti i vitit 2024 do të ketë në total për të shpenzuar rreth 735,9 miliardë lekë (rreth 7 mld euro), prej të cilave 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh. Siç mësohet nga relacioni i projektbuxhetit 2024, pjesën më të madhe të financimit do të marrin investimet publike me 128,5 miliardë lekë (1,2 miliardë euro).
Fondi shtesë për rritjen e pagave është 11 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro. Sektori publik ka rreth 184 mijë punonjës nga të cilat rreth 84 mijë janë administratë dhe pjesa tjetër janë punonjës në shërbimet bazë të sektorit publik, arsim, shëndetësi dhe polici.
Në vitin 2024, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 674.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 633.7 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 447 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, planifikohen të jenë 156.7 miliardë lekë.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2024 programohet në nivelin 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e PBB. Shpenzimet e personelit për vitin 2024, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave (nisur në 1 prill 2023).