Vendosni fjalën kyçe....

Miratohet në 7 minuta e 42 sekonda buxheti 2024, kaos, tymuese, zhurmë, Salianji mbi karrige, ç’ndodhi në parlament (Videot)


Buxheti për vitin 2024 është miratuar në vetëm 7 minuta e 42 sekonda seancë, mes kaosit, tymueseve e zhurmës në sallë.

Ndërkohë që deputetët demokratë të grupeve Berisha-Bardhi mbanin tymuese në duar, kishin hedhur karriget në mes ta sallës e u binin tavolinave.

Socialistët nga krahu tjetër, disa të ulur e disa në këmbë ngrinin kartonin jeshil duke miratuar ato që lexonte në nxitim e sipër kryetarja e Kuvendit Nikolla.

Çfarë ndodhi në seancën e sotme

Demokratët nisën të hyjnë në sallë rreth 30 minuta para nisjes zyrtare të saj. Që në hyrje ata u përplasën me punonjësit e Gardës, që kësaj here ishin më të shumtë në numër dhe ishin rreshtuar para foltores.

Salianji, Dogjani, Nallbati e deputetë të tjerë u përpoqën të ‘çajnë rrethimin’ për  të hedhurt karriget te foltorja po më pas i grumbulluan ato para saj.

Në një çast, deputeti demokrat Salianji hipi sipër grumbullimit të karrigeve, një pamje që të sjell në mendje pikturën e e famshme “La Liberté guidant le people” (Liria duke udhëhequr popullin) të piktorit francez Eugène Delacroix, që personifikon Revolucionin e Korrikut 1830 në Paris, që rrëoi Mbretin Charles X.

Salianji e Dogjani u përplasën ashpër me punonjësit e Gardës duke u kërkuar atyre që të mos i prekin karriget.

“Mor qelbësira, mostra…mos i prekni karriget…Kur të zgjidheni ju deputetë…ik moj vajzë andej…cfarë jeni ju punëtorët e komunales…?” – dëgjohen të thonë deputetët demokratë teksa shtyhen me punonjësit e Gardës.

Pak minuta para nisjes së seancës kryeministri Rama u fut në sall, ndërsa demokratët e pritën më thirrjet, “turp, turp”.

Me nisje e seancës demokratët ndezën disa tymuese në ngjyrat blu, jeshile e të verdha ndërsa kryetarja e Kuvendit Nikolla nisi të lexonte të gjitha pikat e rendit të ditës të cilat u miratuan njëra pas tjetrës.

Ajo përjashtoi demokratin Asllan Dogjani, i cili në një çast po mbante në dorë një tymuese ndërsa pak minuta më pas mbylli seancën me buxhetin që u miratua mes kaosit e zhurmës.