Rusia po përpiqet të rekrutojë emigrantë të huaj ilegalë, të cilët janë ndaluar në kufirin e saj me Finlandën, për të marrë pjesë në luftën e saj në Ukrainë.
BBC ka raportuar prova të disa rasteve në të cilat të huajt u futën me nxitim në një kamp ushtarak në kufirin me Ukrainën, disa ditë pasi ata u kapën për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Praktika e detyrimit të njerëzve në qendrat e paraburgimit për të nënshkruar kontrata për shërbimin ushtarak në Ukrainë nuk është e re, por shifrat u rritën pasi emigrantët e huaj mbërritën në kufirin e Rusisë me Finlandën sipas medias britanike.
Finlanda mbylli përkohësisht të tetë pikat e saj kufitare ruse, duke akuzuar Moskën për kanalizimin e emigrantëve dhe azilkërkuesve atje si pjesë e një fushate destabilizimi pasi qeveria në Helsinki iu bashkua NATO-s në fillim të këtij viti.
Analiza e seancave gjyqësore në Karelia, një nga tre rajonet ruse në kufi me Finlandën, tregoi se në tre javët e fundit, 236 persona u arrestuan për qëndrim në Rusi pa viza të vlefshme.