Vendosni fjalën kyçe....

Dita e Rinisë, Tabaku: Mbi 500 mijë të rinj janë larguar, duhet të pyesim veten si të ndalim hemorragjinë që po plak vendin


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për 8 dhjetorin, të njohur si Dita e Rinisë. Nëpërmjet një postim në facebook, Tabaku shkruan se përtej urimit, sot është koha për të pyetur veten çfarë mund të bëhet për të ndaluar hemorragjinë që po plak Shqipërinë.

Ajo shkruan se mbi 500 mijë të rinj janë larguar nga vendi dhe thekson se nuk mund të ketë një Shqipëri europiane nëse vazhdohet me një diktatin e një politike që sipas saj ka ngelur në vendnumëro.

“Tre dekada më parë studentët u ngritën për një Shqipëri të lirë nga kulti individit dhe diktatura trushplarëse e një elite të korruptuar dhe kriminale. U ngritën për tu larguar nga një qeverisje që kishte biografinë si diplomë dhe internonte njerëzit familjarisht nëse nuk i pushkatonte apo i dergjte burgjeve.

Përtej urimit sot duhet të pyesim veten se përse mbi 500 000 të rinj janë larguar dhe çfarë mund të bëjmë për të ndaluar hemorragjinë që po plak Shqipërinë.

Nuk mund të ndërtojmë Shqipërinë Europiane nëse vazhdojmë të këmbëngulim në diktatin e një politike që ka ngecur në vendnumëro. Nuk mund të flasim për të ardhmen e të këndojmë ende himnin e kultit të individit.

 Është koha të ndryshojmë për ti lënë fëmijve tanë një Shqipëri që mund të jetojnë dhe mund ta ndryshojmë!”- shkruan Tabaku.