Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria riformulon ofertën për investimet, kalon para turizmin dhe bujqësinë


Oferta e Shqipërisë për investitorët e huaj, e konceptuar çdo vit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimin e Investimeve thuajse çdo vit ka listuar një sërë sektorësh me potencial dhe e para në renditje ka qenë energjia.

Por duket se zhvillimet pozitive të këtij viti me turizmin kanë bërë që oferta turistike të riformulohet, sektorët kanë mbetur thuajse të njëjtë por renditja e tyre ka ndryshuar.

Në vend të parë një broshurë e fundit e AIDA sa i takon investimeve të huaja dhe sektorëve me potencial, rendit turizmin. Në vend të dytë renditet bujqësia dhe më pas vjen energjia. Me radhë në listë vijojnë manifaktura dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit si dhe shërbimet outsourcing.

Broshura sjell në vëmendje klimën e favorshme të vendit, lidhjet ajrore përmes aeroportit të Tiranës dhe Kukësit, burimet natyrore të nëntokës si dhe vijën bregdetare prej 316 kilometrash.

Oferta nënvizon një klimë pozitive investimesh, një vendndodhje gjeografike të favorshme si dhe kapitalin human ku theksohet se 46 për qind e popullsisë është nën 35 vjeç, gjuhet e huaja që fliten si anglishtja, italishtja dhe greqishtja me frëngjishten dhe gjermanishten që mësohen në shkolla si dhe të rinjtë në universitete.

Incentiva 1 euro dhe investimet strategjike

Sa i takon investimeve të huaja Shqipëria duket se vazhdon ti mëshojë dy politikave të saj të nisur prej kohësh të tilla si :Shqipëria 1 euro dhe statusi i investimeve strategjike.

Në ofertë nënvizohet se skema 1 euro mbetet në fuqi, incentivat për investimet strategjike si dhe incentiva të dedikuara sektoriale.

Një tjetër element që vihet në dukje është kostoja konkurruese e krahut të punës. Në broshurë nënvizohet se Shqipëria ka nivele konkurruese të tatimit mbi të ardhurat, kontribute nga orët shtesë dhe sigurimet shoqërore. Po kështu ka arsim profesional në disa sektorë specifikë si dhe nivele të pagës nga më konkurrueset në rajon dhe një forcë punëtorë produktive.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor