Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me grabitjen në tentativë me armë zjarri në një banesë në fshatin Prush të Tiranës.
Burime nga policia bënë me dije se forcat e rendit janë vënë në ndjekje një automjeti Audi me ngjyrë të bardhë, i cili pasi është larguar nga vendi i ngjarjes është nisur në drejtim të liqenit të Thatë.
Burimet bënë me dije se targat e automjetit rezultojnë të vjedhura.
Autorët kishin shkuar për të grabitur një banesë, por pas mbërritjes në kohë të forcave të rendit, ata janë larguar. Kanë qenë familjarët që kanë lajmëruar policinë për grabitjen.
Ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të autorëve të grabitjes së dështuar me armë zjarri në fshatin Prush, paraprakisht dyshohet se janë tre persona që tentuan grabitjen ndërsa kanë qenë të armatosur me armë zjarri kallashnikov.
Policia e Tiranës, sakaq thekson se për krehjen e zonës është vënë në lëvizje edhe forca RENEA.
“Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre.
Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre. Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, thuhet në njoftim.