30 shqiptarë i janë bashkuar një greve urie në burgun e Korfuzit në Greqi pasi pretendojnë se kushtet në të cilin vuajnë dënimet përkatëse janë nën standartin e duhur.
Greva e urisë sot është në ditën e saj të katërt, ku të burgosurit ripërsërisin thirrjen ndaj autoriteteve greke për përmirësimin e infrastrukturës, si dhe lejimin e lirimit me kusht sipas ligjit.
Të burgosurit shqiptarë shprehen se stafi i burgut ka një sjellje rraciste ndaj tyre dhe thekson se greva e urisë nuk do të ndalojë deri në plotësimin e kërkesave, përcjellin mediat.
Ndër të tjera, të burgosurit shqiptare i bëjnë apel edhe shtetit shqiptar që të interesohen pranë autoriteteve greke që kërkesat e tyre të plotësohen siç e parashikon ligjin.
“Po të marr nga burgu i Korfuzit, jemi këtu e një javë në grevë urie për ligjet që nuk na i zbatojnë dhe të drejtat e lirimit, e para. Lejen e plotësojmë dhe nuk na e japin.
Vonesat na i bëjnë në ekstrem, dënimet në maksimum padrejtësisht. Sidomos ne të huajve na sillen çnjerëzore fare. Grekëve lejen ua japin direkt. Ministri i Drejtësisë të bëjë lëvizje. Nuk i çojnë letrat tona”, deklarojnë ata.