Zjarr në një spital në Romë, humbin jetën katër persona, evakuohen rreth 200 të tjerë


Rreth dyqind persona janë evakuuar nga spitali Tivoli, në periferi të Romës, ku një zjarr i madh shpërtheu në mbrëmje.

Zjarri dyshohet se ka rënë në bodrumin e strukturës, duke përfshirë fillimisht morgun, më pas një pjesë të kuzhinave dhe katin e parë, por tymi i dendur është përhapur edhe në katet e sipërme, përcjellin mediat italiane .

Të paktën një nga pacientët u gjet i vdekur për shkak të mungesës së oksigjenit. Përveç tre viktimave që vdiqën nga zjarri, raportohet se trupi i katërt i një personi tashmë të vdekur u hoq dhe u mbajt në morg.

Flakët janë shuar, por evakuimi i spitalit, i mbushur me tym, vazhdon ende. Rreth 150 pacientë tashmë janë transferuar ndërsa dyzet të tjerë janë ende brenda objektit.