Vendosni fjalën kyçe....

Chanel paralajmëron një vit të vështirë për mallrat e luksit


Presidenti i modës te Chanel, Bruno Pavlovsky, paralajmëroi industrinë e modës dhe mallrave luksoze që të përgatiten për një vit sfidues përballë ngadalësimit të rritjes ekonomike botërore.

Duke folur për Financial Times në Britani këtë javë, Pavlovsky theksoi vështirësitë e mundshme që e presin industrinë.

Sipas Pavlovsky-t, kushtet ekonomike janë tani të vështira “kudo, në çdo vend”, gjë që do ndikojë në sektorin e luksit.

“Luksi nuk mbrohet nga ekonomia. Unë nuk kam një top kristalipër të parashikuar saktësisht, por gjendja do jetë më e ashpër se ajo që pamë në vitin 2023”, paralajmëroi ai.

Pavlovsky zbuloi se marka regjistroi një rënie në vizitat dhe blerjet në dyqane nga blerësit për herë të parë dhe të rastësishëm këtë vit, duke e lidhur këtë trend me inflacionin e lartë si në SHBA ashtu edhe në Evropë dhe papunësinë rekord të të rinjve në Kinë.

Sipas raporteve të mëparshme, shitjet e luksit vetëm në SHBA u rritën me vetëm 2% në tremujorin e tretë të vitit pas një ngecjeje në tremujorin e mëparshëm. Në Evropë, rritja e të ardhurave të markave luksoze u ngadalësua në 7% krahasuar me 19% gjatë periudhës prill-qershor.

Duke komentuar rënien, Pavlovsky vuri në dukje se kjo është “normale” sepse mallrat e luksit “nuk mund të jenë në rritje të përhershme dyshifrore”.

Chanel nuk është i vetmi në shqetësimin e tij për të ardhmen e industrisë së luksit, me kompanitë nga LVMH tek Guçi që raportojnë rritje më të ulët të shitjeve ose rënie të të ardhurave mes shqetësimeve të inflacionit dhe recesionit.