Një aksident është regjistruar mëngjesin e sotëm në Përrenjas, duke lënë pas gjashtë persona të plagosur një prej të cilëve rëndë.
Aksidenti është regjistruar në vendin e quajtur “Ura e Mërkurit”.
Njëri prej të plagosurve është transportuar për në repartin e kirurgjisë së Spitalit të Elbasanit për shkak të frakturave të shumta që i janë shkaktuar nga aksidenti, ndërsa të plagosurit e tjerë janë dërguar në Spitalin e Librazhdit.
Nga pamjet shihen mjete të shkatërruara në vendin e ngjarjes. Një automjet dyshohet se ka humbur drejtimin e lëvizjes, është përplasur me një tjetër dhe ka dalë jashtë rruge duke u përplasur me bordurën anësore.
“Në aksin rrugor “Librazhd-Përrenjas”, automjeti me drejtues shtetasin A. S. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. P. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 3 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin A. S. dhe 3 të tjerë në automjetin me drejtues shtetasin Gj. P., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Me drejtuesit e automjeteve po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”, sqaroi policia.