I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, David Wisner, i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha drejtuar SPAK-ut.
Në një intervistë për Gazetën Panorama, diplomati amerikan tha se nuk i përgjigjet dikujt që është i sanksionuar nga SHBA-ja për korrupsion madhor.
Wisner shtoi se Uashingtoni mbështet SPAK-un dhe institucioet e tjera të drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Siç e vërejta, kemi investuar fort në suksesin e reformave në drejtësi të Shqipërisë, përfshi SPAK, përmes ekspertizës, financimit dhe mbështetjes sonë politike. Jemi krenarë të jemi partnerë me Shqipërinë. Çdo shqiptar meriton të jetojë në një vend ku secili është i barabartë përpara ligjit, ku shteti ligjor funksionon dhe ku secili ka një mundësi të barabartë për begati. Jo vetëm sepse e kërkon e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë, por sepse është gjëja e duhur”-tha Wisner.
Ndërsa si përgjigje për Ramën, i cili thotë se reforma në drejtësi është falë PS, diplomati i SHBA thotë se janë 40 ekspertë amerikanë që financohen nga SHBA-të në mbështetje të drejtësisë, përfshirë edhe mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit, FBI, DEA etj..
“Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera”, tha Wisner.
Wisner thekson se marrëdhëniet mes SHBA-ve e Shqipërisë janë më të forta se kurrë ndonjëherë si dhe përgjigjet për ngërçin në Parlament dhe zërave se ndërkombëtarët mbështesin stabilokracinë në kurriz të standardeve demokratike në Shqipëri.
“Shqipëria është një aleate në NATO, një mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara. Duam të mbështesim çdo përpjekje për të çuar përpara integrimin në BE të Shqipërisë dhe trajektoren e saj trans-atlantike. Kjo përfshin mbështetjen tonë për reformën në drejtësi. Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera”-deklaroi Wisner.