Ministria e Financave dhe “Termokosi” kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej mbi 80 milionë eurove për ndërtimin e ngrohtores diellore në Prishtinë. Afro 38 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo ngrohje dhe do të mundësohet zvogëlimi i ndotjes në kryeqytet.
Mbi 80 milionë euro është vlera totale e projektit të ri të impiantit diellor në Prishtinë, ku të hënën është nënshkruar marrëveshja e nën-huazimit dhe nën-grantit mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe ngrohtores së qytetit Termokos.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka treguar se ky projekt e rrit prodhimin e energjisë termike dhe u mundëson edhe 38 mijë qytetarëve të kyçen në rrjetin e Termokosit.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se Kosova përfiton nga kjo marrëveshje.
“Ngrohja solare do te mundësojë shfrytëzimin dhe zvogëlojë varësinë ndaj qymyrit. Puna jonë ende nuk ka filluar. Si partner dhe hisedar jam shumë optimist do ta realizojmë në dy tri vite dhe do shohim rezultatet”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bëri me dije se projekti i ngrohjes nxit rritjen ekonomike dhe përkrah qëndrueshmërinë mjedisore.
“Impanti i ri diellor do të zvogëlojë dukshëm emitimin e dioksidit të karbonit. Sot nuk po nënshkruhen vetëm disa marrëveshje, por po nënshkruhet zotimi ynë që banorëve të Prishtinë të ju mundësojmë zgjidhje të përballueshme dhe të qëndrueshme”.
Kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani, tha se nga ky projekt me panele solare do të mbulohen një hapësirë prej 69 mijë metra katror, me kapacitet termik 50 megavat, ku do të përfitojnë mbi 38 mijë banorë në Prishtinë.
“Si projekti më i madh në rajon ‘Solar 4 Kosovo’ do të mbuloj me panele solare një hapësirë prej 69 mijë metra katror, me kapacitet termik 50 megavat, duke furnizuar 12 mijë konsumatorë me mbi 38 mijë banorë në Prishtinë”.
E drejtori i BERZH-it në Kosovë Sergiy Maslichenko theksoi se nga ky projekt do të ketë përfitime në Prishtinë, meqë ndotja, sipas tij është e lartë.
“Përfitimi është i qartë nga ky projekt. Është projekt i vështirë në kuptimin e zbatimit. Është shembull i mirë i bashkëpunimit mes donatorëve”.
Edhe shefi i seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek tha se 38 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo ngrohje dhe se do të mundësohet zvogëlimi i ndotjes në kryeqytet.
Ndërtimi i saj do të bëhet nëpërmjet marrëveshjes me BERZH-in që i ka ndarë 23.2 milionë euro, KfW-ja 31.6 milionë euro, granti i Bashkimit Evropian 21.5 milionë euro dhe kontributi i Qeverisë, 4.4 milionë euro.
Ky projekt parasheh ndërtimin e një impianti te ngrohjes solare në Prishtinë ku përmes saj do të zgjerohen kapacitetet e prodhimit të energjisë termike te Termokosit deri në 50 MW. Pra, 38 mijë qytetarë që aktualisht nuk janë pjesë e rrjetit të ngrohjes do të fillojnë të kenë qasje në shërbimet e Termokosit pas përfundimit të projektit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor