Vendosni fjalën kyçe....

Të pandehurit mohojnë akuzat e SPAK për inceneratorin e Tiranës, Koka fajëson Berishën dhe Partinë e Lirisë


Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e njoftimit të masave të sigurisë për 15 të akuzuarit nga SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Në seancë ishin të pranishëm ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka i dënuar për inceneratorin e Elbasanit, ish-sekretari i Përgjithshëm Alqi Bllako dhe zyratarët e akuzuar nga SPAK për inceneratorin e Tiranës ata për të cilët organi i akuzës kërkoi masë arresti dhe ata me masë arrest shtëpie.

Gjatë mbrojtjes së tyre të akuzuarit mohuan akuzat e SPAK dhe pretenduan se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.

Ndërsa ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka i cilësoi akuzat të ngritura në bazë të opinionit publik dhe mediatik. Koka madje e konsideroi veten viktimë të Berishës dhe Partisë së Lirisë.

Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”-tha Lefter Koka.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako, ndërsa shtoi mbi punësimin e Vladimir Bezhanit se “është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”.

Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.

Hetimet e SPAK

SPAK hetoi kontratën e koncesionit të 31 gushtit të vitit 2017 e lidhur midis Ministrisë së Mjedisit, që në atë kohë drejtohej nga Lefter Koka, dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria Integrated Technology Services” në pronësi të Klodian Zotos, por që sipas SPAK pas koncesionarit qëndrojnë të njëjtë persona Zoto e Mërtiri. 

SPAK ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përdorën persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë. Zoto dhe Mërtiri, përfituan përmes faturave tatimore të falsifikuara, 409 milionë lekë, ndërsa akuzon 7 anëtarët e komisionit të dhënies se Koncesionit se favorizuan sipërmarrësit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, 7 anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë propozuar dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës shoqërisë së Zotos e Mërtirit “pa hartuar një raport përmbledhës dhe pa u sqaruar ende kostot e projektit”.

Shoqëria e Zotos dhe Mërtirit, thotë SPAK ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit. SPAK thotë se të njëjtët zyrtarë nga ministri Koka deri te 7 anëtarët e komisionit të koncesionit, kanë pajisur shoqërinë me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, “me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”

SPAK thotë se dokumentet standarde të koncensionit nuk janë hartuar nga anëtarët e komisionit, por nga vetë punonjës të shoqërisë së Klodian Zotos të cilat më tej janë hedhur në sistemin e prokurimit publik sikur t’i kishin hartuar vetë. SPAK i akuzon anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit se i kanë përllogaritur kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.