Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky e nis vizitën në SHBA me lutje për ndihma ushtarake


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e nisi ditën e parë të vizitës në Uashington më 11 dhjetor me një lutje për liderët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara për ndihma shtesë për vendin e tij të rrethuar, duke u thënë atyre se “ne nuk do të dorëzohemi” në luftë kundër pushtimit nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

“Putini duhet të humbë patjetër. Ne e dimë çfarë duhet të bëjmë. Ju mund të llogarisni në Ukrainën, dhe ne shpresojmë njëjtë se do të mundë të llogarisim në juve”, tha Zelensky gjatë një takimi në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington.

Sekretari amerikan i Shtetit, Lloyd Austin, i premtoi mbështetje të palëkundur Kievit dhe paralajmëroi se Putini ende shpreson në fitore në luftë kundër Ukrainës, me gjithë humbjet e mëdha të Kremlinit në konfliktin që nisi në shkurt 2022.

“Me gjithë krimet dhe izolimin, Putini ende beson se ai mund ta mposhtë Ukrainën dhe se mund ta mposhtë Amerikën. Por, ai e ka gabim”, tha Austin.

Përkushtimet e Amerikës duhet të nderohen”, shtoi ai, teksa administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po ka vështirësi ta bindë opozitën republike për ta vazhduar mbështetjet për Kievin.

Bideni e ftoi Zelenskyn në Uashington për ta rikonfirmuar mbështetjen e administratës së tij për Kievin në një kohë mosmarrëveshjes me republikanët në Kongres, të cilët i kanë bllokuar ndihmat ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën në vlerë dhjetëra miliarda dollarë.

Ai do ta mirëpresë liderin ukrainas në Shtëpinë e Bardhë më 12 dhjetor, tha zëdhënësja Karine Jean-Pierre.

Zelensky do t’i adresohet edhe senatorëve amerikanë dhe do të takohet edhe me kryetarin e ri republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, shkruan REL.