Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese “ngrin” marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët


Gjykata Kushtetuese ka “ngrirë”  ratifikimin e marrëveshjes së emigrantëve mes kryeministrit Rama e homologes italiane Meloni.

Marrëveshja ishte parashikuar të  miratohej në seancën e nesërme.

Seanca për kërkesën në fjalë është caktuar për në datën 18 janar, në orën 10 të paradites.

“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13 Dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, mbledhja e gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 Janar 2024, ora 10:00.” – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më herët kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po shkelte Kushtetutën duke mos marrë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës për marrëveshjen e emigrantëve mes Ramës e Melonit.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese nuk e kishte futur ende në kalendar kërkesën në fjalë duke vërtetuar, sipas tij, kapjen e plotë të saj nga Rama.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar nga grupi Bardhi-Berisha.

Megjithatë ky i fundit ka deklaruar në disa raste se nuk do organizojë protesta për të kundërshtuar marrëveshjen. Marrëveshja në fjala ishte futur në kalendarin e ditës për seancën e nesërme në Kuvend, ku pritej të miratohej.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Romë më 6 nëntor të këtij viti, Italia do ndërtojë në Gjadër një kamp për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm të kapur në det të cilët nuk kanë prekur tokën italiane.

Po kështu një strukturë pritjeje do ngrihej edhe në portin e Shëngjinit. Marrëveshja parashikon trajtimin e deri 3  mijë emigrantëve brenda një muaji, ndërsa në strukturën pritëse nuk do kishte asnjëherë më shumë se 3 mijë emigrantë njëherësh.

Të gjitha kostot për ngritjen dhe mirëbajtjen e strukturave në tokën shqiptare do i paguante Italia, ndërsa Shqipëria nuk do kishte asnjë përfitim financiare po disa përfitime të tjera, më së shumti politike për sa i përket integrimit në BE, që u zbardhën nga Gogo.al.

Ndërkohë Shqipëria do ofronte sigurinë jashtë kampeve të emigrantëve. Marrëveshja e beftë shkaktoi ‘tërmet’ politik në Itali që akuzoi qeverinë e Melonit se po shkelte ligjin e vendit dhe ligjin ndërkombëtar si dhe të drejtat e njeriut.

Kryeministri Rama nga ana e tij tha pas nënshkrimit tëmarrëveshjes së Shqipëria ia kishte borxh Italisë këtë gjë, për mbështetjen që ajo u ka dhënë emigrantëve shqiptarë.