Vendosni fjalën kyçe....

Kombëtarja e Shqipërisë në kërkim të miqësoreve


Takimi i radhës me Kombëtaren do të jetë në muajin mars, ku Shqipëria do të luajë një ose dy miqësore, duke i dhënë mundësinë trajnerit Sylvinho që të punojë edhe një herë nga afër me të gjithë lojtarët, përfshirë këtu edhe ndonjë emër të ri që mund të grumbullohet deri atëherë.

Dëshira e trajnerit Sylvinho është që të përballemi me një kombëtare të fortë, pasi edhe në grupin e Europianit, kundërshtarët janë të një niveli të lartë.
Kështu braziliani do që të provojë paraprakisht kuqezinjtë ndaj një niveli më lart.

Në ditët e fundit janë përfolur Zvicra dhe Turqia si kundërshtarë të mundshëm për ndeshje miqësore, por nga ajo që mësohet, Shqipëria nuk do të përballet me Zvicrën apo Turqinë, të paktën deri tani, kjo edhe për shkak se të dyja kombëtaret kanë pasur programet e tyre dhe ndoshta edhe ato kërkojnë një rival edhe më të fortë.

Të gjithë duan të luajnë me skuadra të nivelit shumë të lartë dhe të provojnë veten se në çfarë gjendje janë. Kështu që momentalisht çdo gjë është në pritje dhe FSHF është në bisedime me kombëtare të tjera.