Prej mesditës së sotme, gazetari i kronikës që mbulon edhe çështjet e Prokurorisë, Elton Qyno mbahet në ambientet e SPAK-ut.
Raportohet se ai mbahet brenda SPAK me kërkesë të prokurorit Behar Dibra me pretendimet se ka nxjerrë akte hetimore.
Vetë televizioni ku punon gazetari ka bërë me dije detaje nga marrja e tij dhe veprimet që po kryen.
“Prej orës 11:00 SPAK kërkon nga gazetari i Ora News, Elton Qyno të nxjerrë burimin e informacionit
Gazetari Elton Qyno i qëndron parimit: Burimi nuk tregohet.
SPAK ushtron kontroll në banesën e tij, në sy të fëmijëve
Pritet që prokurorët e SPAK të mbërrijnë edhe në Ora News për kontroll lidhur me këtë çështje.”-thuhet në njoftimin e Ora News.
Shpesh dosje hetimore të SPAK kanë dalë në media dhe institucionalisht kanë bërë thirrje për mos publikimin e tyre.
Por duket se SPAK kërkon të nxjerrë nga gazetarët se kush ia nxjerr dosjet nga ambientet e brendshme të cilat më pas bien në dorë të medias.
Gazetari Adriatik Doçi ka njoftuar mbajtjen e kolegut Qyno nga SPAK dhe e quajtur veprim arbitrar.
“Lajmësi mbrohet edhe me kanunë. Ka edhe një vendim të Strasburgut që kufizon SPAK-un për të ndërhyrë në kompjuterat dhe telefonat e gazetarëve, me qëllim për të zbluar burimet.
I bëj thirrje kreu të SPAK-ut Altin Dumanit dhe drejtueses së BKH-së Aida Hajna të lënë të lirë kolegun dhe shokun tonë Elton Qyno, një nga gazetarët më të vërtetë dhe të ndershëm, i cili mbahet në BKH me forcë që nga ora 11:00 e ditës së sotme.
Misioni i gazetarit është të ekspozojë informacion me interes publik. Nuk është detyrë e gazetarit të ruajë sekretet hetimore. Sekretet ruhet nga ata që parashikon ligji.
Nuk arrestojnë dhëndrin e Berishës që cicëron duke sharë dhe fyer SPAK çdo ditë, por merren me Elton Qynon.
Me këto veprime arbitrare SPAK dhe BKH po humbet mbështetjen mediatike”-shkruan Doçi.
Edhe gazetari Basir Çollaku ka reaguar për shoqërimin e Elton Qynos duke thënë se arsye është bërë publikimi i dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani.
“SPAK ka shoqëruar prej afro 10 orësh gazetarin Elton Qyno
Kërkojnë të dinë përse ka publikuar pjesë të dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, pasi më herët kishin kërkuar me shkrim çuditërisht mospublikim. Kanë ushtruar edhe kontroll banese.
Një i paidentifikuar shoqërohet 8 orë gazetarit ia dyfishojnë kohën dhe nuk ka konsumuar asnjë vepër penale.
Kjo është në shumë se tepër. Drejtuesi z Dumani duhet të dijë se kjo është tepër dhe jo punë drejtësie..
Interesi publik dhe ai hetimor shpesh nuk janë e njëjta gjë..
Shoqatat e gazetarëve ndjesë paçin…”-shkruan Çollaku.