Vendosni fjalën kyçe....

Begaj në Bullgari: Ballkani Perëndimor është investim strategjik për BE-në


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në një konferencë të përbashkët me homologun bullgar Rumen Radev në Sofje tha se Ballkani Perëndimor është  investim strategjik për BE-në.

Begaj u shpreh se, “kjo vizitë demonstron qartë marrëdhëniet shumë të mira e miqësore Shqipëri-Bullgari”.

“Shqipëria ka vullnet dhe interes për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe atë për integrimin në BE”, tha Begaj.

Ai shtoi se, mbështetja e minoriteteve respektive është në interesin tonë të përbashkët

Begaj nënvizoi gjithashtu nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe rritje të  shkëmbimeve tregtare

“Janë të gjitha kushtet, kuadri ligjor dhe klima e favorshme e biznesit që ky bashkëpunim të fuqizohet”, theksoi Begaj. Kreu i Shtetit theksoi se, “sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët Ekonomik do t’i adresojë me kujdes mundësitë për të vënë në lëvizje mekanizmat”.

Begaj vlerësoi Bullgarinë për mbështetjen ndaj Kosovës në përpjekjen për anëtarësim në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare

“Bashkëpunimi në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë është i konsoliduar në kuadër të NATO-s”, tha Begaj.

Nga ana tjetër Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, tha se Shqipëria është para hapjes së negociatave. Më tej ai shtoi se Maqedonia e Veriut duhet të japë garanci në kushtetutën e vet, pasi duhet të respektojë të drejtat e minoritetit bullgar.

“Rruga drejt BE-së e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një rrugë e ndarë. Tani Shqipëria është para hapjes së negociatave. 

Për Maqedoninë e Veriut, rruga është ndryshe pasi Bashkimi Evropian insiston në këtë që të respektohen kriteret e Kopnehagentit.

Maqedonia e Veriut duhet të japë garanci në kushtetutën e vet pasi duhet të respektojë të drejtat e minoritetit bullgar. 

Atje do të bëhet e mundur që të zhvillohet konferenca e përbashkët për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut. Çdo shtet duhet të respektojë rregullat.”- tha Radev.