Vendosni fjalën kyçe....

Fondet e investimit, asetet u rritën me 8% deri në fund të 9-mujorit


Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në afërsisht 44.8 miliardë lekë. Asetet neto u rritën me 1.5 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e dytë, ndërkohë që paraqiten në rritje me 7.94% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Asetet neto të tregut u rritën për të tretin tremujor radhazi, duke konsoliduar sinjalet e një rimëkëmbjeje të ngadaltë, pas goditjes së fortë që tregu pësoi vitin e kaluar nga rritja e normave të interesit.

Një zhvillim ndoshta edhe më i rëndësishëm ishte edhe rritja e numrit të anëtareve në këto fonde. Numri i anëtarëve arriti në 31 281, në rritje me 8% krahasuar me fundin e vitit 2022.

Numri i anëtarëve u rrit për të dytin tremujor radhazi, çka mund të jetë një tregues i rifitimit gradual të besimit të investitorëve. Sidoqoftë, numri i investitorëve ngelet ende larg nivelit prej më shumë se 40 mijë subjektesh (në masën dërrmuese individë) që regjistrohej para rritjes së normave të interesit, në fund të vitit 2021.

Fondet e investimit në Lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare).

Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.

Deri në fund të 9-mujorit 2023, në treg ishin aktive 11 fonde investimi, të administruara nga pesë shoqëri të ndryshme administruese. Ndërkohë, dy prej fondeve të investimit të licencuara nga AMF, Sigal Invest dhe Albsig Selective Equity ETF-s nuk ishin ende aktivë deri në fund të muajit shtator.

Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë më shumë se 91% të vlerës neto të aktiveve të fondeve. Në dy vitet e fundit, vlera e fondeve në valutë të huaj është ndikuar negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit.

Mes fondeve, më i madhi me diferencë të konsiderueshme ngelet fondi i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, me pothuajse 67% të aseteve neto të tregut. Vijon fondi tjetër në Lekë i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, me pothuajse 21% të vlerës neto të aseteve.

Mes fondeve në valutë të huaj, më i madhi është Raiffeisen Invest Euro, me afërsisht 8% të vlerës neto të aseteve. Fondet e tjera përbëjnë së bashku afërsisht 4% të vlerës së përgjithshme të aseteve neto.

Tregu i fondeve të investimit pësoi një goditje të fortë vitin e kaluar nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Kjo solli rënie të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet.

Megjithatë, rënia e normave të interesit, veçanërisht për monedhën Lekë (që është dominuese në strukturën e aseteve të tregut), prej fundit të vitit të kaluar bëri që vlera e aseteve të rritet gradualisht. Mbështetur në të dhënat nga shoqëritë administruese, shumica e fondeve janë kthyer në territor pozitiv, për sa i takon kthimit vjetor nga investimi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor