SHBA-ja njoftoi se forcat Houthi sulmuan një anije mallrash me flamurin e Ishujve Marshall në jug të Detit të Kuq, ndërsa kur marina amerikane u përpoq ta ndihmonte atë pas thirrjes për ndihmë, forcat Houthi në Jemen gjuajtën gjithashtu dy raketa ndaj forcave amerikane, por nuk arritën të godisnin objektivin e tyre, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së postuar në “X” nga Komanda Qendrore e SHBA-së, ngjarja ndodhi dje kur forcat Houthi u përpoqën të hipnin në anijen Ardmore Encounter e cila lundronte me flamur nga Ishujt Marshall. Pasi anija kërkoi ndihmë, u dërgua një anije luftarake e Marinës së SHBA-së.
Në njoftim thuhet se kur kjo dështoi, dy raketa u lëshuan nga zonat e kontrolluara nga Houthit në Jemen, të cilat nuk goditën cakun.
“Teksa iu përgjigj thirrjes për ndihmë, forcat rrëzuan një mjet ajror pa pilot, i cili gjithashtu u lançua nga zona e kontrolluar nga Houthit“, thuhet në njoftim, duke shtuar se droni po shkonte direkt drejt anijes së marinës amerikane dhe u rrëzua në vetëmbrojtje.
Nuk pati personel të lënduar dhe asnjë dëmtim në asnjë anije, thuhet në deklaratë, duke shtuar se anija transportuese ishte në gjendje të vazhdonte pa incidente të mëtejshme.