Kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi në një dalje për mediat pas përfundimit të seancës ka komentuar kaosin e Rithemelimit.
Çuçi tha se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për të përjashtuar me dy muaj deputetët e kaosit janë krejt normale, pasi të ndezësh zjarr e tymuese në Kuvend është vepër penale. Çuçi mori shembullin e Italisë, kur tha se atje deputetët përjashtohen me 15 seanca plenare.
“60 ditë është vetëm kur vendosin zjarr dhe përdorin mjete piroteknike dhe kur ushtrojnë dhunë, apo kur veprimet e tyre përbëjnë vepër penale.
Krejt normale, sepse nuk është jo normale, por është vepër penale të ndezësh zjarr në sallën e parlamentit që është një moment shumë solemn.
Nëse 23 deputetë të opozitës ndezin zjarr në parlament do përjashtohen padiskutim. Duhej të shihte diskutuar ndryshimi, por kush vjen për ta diskutuar. Nuk u paraqitën as në këshillin e rregullores.
E dini sa është në parlamentin italian, 15 seanca. Pengohen në Itali të ngrenë komisione hetimore? As te ne nuk pengohen, i bëjnë në formën e duhur.
S’kemi penguar dhe s’do i pengojmë asnjëherë. Kemi paraqitur një set ndryshimesh në ligjin për komisionet hetimore”, tha Çuçi.