Vendosni fjalën kyçe....

Momenti kur Rama përpëlitet nga pyetja për bonusin qeveritar të inceneratorit


Një pyetje e gazetares të Syri TV, Ambrozia Meta për firmosjen e VKM-së që i dha bonusin kompanisë së inceneratorëve pa qenë e regjistruar e ka bërë kryeministrin Edi Rama të përpëlitet në konferencën për shtyp mesditën e sotme.

Kryeministri Rama u përpoq t’i përgjigjej pyetjes duke shpjeguar si funksionon procesi për firmosjen e një akti qeveritar por që nuk dha përgjigje konkrete duke e konsideruar një pyetje jo për të.

Përpëlitja për tu mos u përgjigjur ka shkaktuar një seri pyetje përgjigjesh të sikletosura mes tij dhe gazetares.

Pjesë nga përplasja:

Gazetarja Ambrozia Meta: Në dhjetor të vitit 2016 ju keni firmosur një VKM me anë të cilës jepni miratimin për një bonus prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy” të Klodian Zotos për rezultatin ekonomik dhe financiar për landifillin dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Megjithëse jeni paralajmëruar nga ish-ministrja Felaj dhe ish-ministri Manjani se kjo kompani nuk ekziston pse favorizuat një kompani fantazmë që nuk ka qenë e regjistruar në QKB?

Kryeministri Rama: Kjo pyetje ka të njëjtën përgjigje që i dhashë një kolegeje më parë dhe s’ka përgjigje tjetër. Nuk është pyetje për mua fare.

Gazetarja Ambrozia Meta: E keni firmosur ju VKM-në, apo nuk mbani përgjegjësi për firmën tuaj?

Kryeministri Rama: Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë dhe çdo firmë e imja është fryt i një procesi dhe i një mekanizmi dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo sfera të ndryshme që kanë kompetenca e tyre dhe ky bashkim kompetencash sjell në një rezultat dhe kur ky rezultat merr edhe firmën time, kthehet në një vendim dhe kështu bëhen të gjitha vendimet. Ju më bëni pyetje që nuk janë fare në sferën e kompetencës time dhe e përsëris unë nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulimet e natyrës politike, mediatike e joaritmetike që vijnë për arsye të ndryshme. Është e drejta e të gjithëve të bëjnë kalkulime…

Gazetarja Ambrozia Meta: Më falni po nuk janë kalkulime, por një vendim që ju e keni firmosur duke i dhënë bonus një kompanie që është krijuar disa muaj pas këtij vendimi. A mbani përgjegjësi për këtë gjë?

Kryeministri Rama: Unë besoj se nuk kam nevojë për përkthyes kur flasim në gjuhën shqipe që unë e dëgjova.

Gazetarja Ambrozia Meta: Ju nuk po më ktheni përgjigje që i keni dhënë bonusin një kompanie fantazëm.

Kryeministri Rama: Unë e dëgjova pyetjen dhe ju dhashë përgjigjen time dhe përgjigja ime dhe jo përgjigja që ju.

Gazetarja Ambrozia Meta: Ju jeni njoftuar nga ish-ministrja Felaj që kjo kompani nuk ekzistonte dhe nga ish-ministri Manjani që kjo kompani nuk ekzistonte.

Kryeministri Rama: Qeveria është një mekanizëm, i cili funksionon në bazë të një zinxhiri me shumë hallka dhe nuk funksionon si një marrëdhënie mes një pronari që i çon gazetarit me mesazh pyetjen që duhet të bëjë.

Gazetarja Ambrozia Meta: Më falni keni qenë i njoftuar në momentin që keni firmosur?

Kryeministri Rama: O zonjë..

Gazetarja Ambrozia Meta: Ju lutem mos bëni paralelizma të tilla dhe më ktheni një përgjigje për pyetjen konkrete që po ju bëj.

Kryeministri Rama: Unë po ju jap shpjegime..

Gazetarja Ambrozia Meta: Ju po bëni paralelizma me pronarët dhe gazetarët ndërkohë që unë po ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë.

Kryeministri Rama: Po ju jap shpjegimin qetësisht dhe mitingun në konferencë shtypi mos e bëjmë.

Gazetarja Ambrozia Meta: Ju lutem më thoni nëse keni qenë ju që keni firmosur VKM-në për një kompani që nuk ekziston?

Kryeministri Rama: Unë nuk një përgjigje që nuk është përgjigja ime. Unë kthej vetëm përgjigjen time.

Gazetarja Ambrozia Meta: E keni firmosur ju atë VKM z. Kryeministër.

Kryeministri Rama: Po të shpjegoj me qetësi se si funksionon procesi i vendimmarrjes. Unë nuk marr njoftime individuale. Janë të gjitha pjesë e një procesi dhe mekanizmi vendimmarrje dhe në fund fare firma ime vendoset kur mekanizmi ka përfunduar punën dhe kur merret miratimi i të gjithë ministrave dhe nuk ndodh në qeverinë time prej 10 vjetësh që të imponoj futjen e çfarëdo vendimi të pasheshuar. Firma është zbardhja e këtij vendimi. Në qeverinë time ndodh që një vendim të zgjasë 6 muaj, ndodh që te merren 32 vendime brenda një dite, varet si shkon procesi i ndërveprimit. Është proces institucional, jo proces pazari, muhabet.

Gazetarja Ambrozia Meta: Më fal, po ju si ua jepni kontratat një kompanie që nuk ekziston?

Kryeministri Rama: Ka ndonjë pyetje tjetër se këto ekzistencat dhe mosekzistencat nuk i vendos syri.net, i vendos tjetër kush. Nëse kam, nëse kam një pikëpyetje për çfarëdo qoftë trajtohen në rrugët që ka caktuar një shtet.

Gazetarja Ambrozia Meta: Ka pasur spostim të lejes së ndërtimit për çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe dherat e kompanive të ndërtimit të cilat duhet të depozitoheshin brenda në landfill janë depozituar jashtë inceneratorit të Tiranës.

Kryeministri Rama: Jo unë kam dijeni për një gjë tjetër që nuk më duket aspak e rastit që përtej të gjitha problematikave që kanë dalë nga ky proces një pjesë e politikës vazhdon të mos i ndahet plehrave.