Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Duam të arrijmë marrëveshje për kthimin e gazetarit të WSJ


Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar sot se Rusia dëshiron “të arrijë një marrëveshje” për kthimin në SHBA të gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Moskë i akuzuar për spiunazh.

Gjatë një konference për shtyp të enjten, Putin u pyet në lidhje me deklaratën e fundit nga administrata Biden se qeveria ruse refuzoi një ofertë të re që synonte lirimin e gazetarit amerikan, si dhe ish-shefit të sigurimit të marinës amerikane, Paul Whelan, i cili është gjithashtu në paraburgim në Rusi.

“Nuk është se ne kemi refuzuar t’i kthejmë ata,” tha presidenti rus. “Ne duam të arrijmë një marrëveshje dhe këto marrëveshje duhet të jenë reciprokisht të pranueshme dhe duhet t’u përshtaten të dyja palëve. Ne kemi kontakte me partnerët tanë amerikanë në këtë drejtim dhe ka një dialog të vazhdueshëm”, theksoi ai.

Në komentet e tij të para publike për Gershkovich, Putin shtoi se, “Nuk është e lehtë. Nuk do të hyj në detaje, por në përgjithësi më duket se po flasim një gjuhë të përbashkët. Shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje”, tha kreu i Kremlinit.

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë, ose FSB, arrestoi Gershkovich, i cili ishte akredituar për të punuar si gazetar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, më 29 mars, ndërsa ai ishte në një detyrë në qytetin rus të Yekaterinburg. Gazetari 32-vjeçar është mbajtur që prej arrestimit të tij në burgun Lefortovo të Moskës.