Gazetari Elton Qyno, ka treguar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV momentet kur thirr në SPAK dhe ballafaqimin me prokurorët dhe OPGJ-të të cilët i kanë bërë presion për të treguar burimet e tij.
Qyno ka treguar se është prerë në besë nga zyrtarët e SPAK pasi e kishin thirrur për tu njohur me një dokument dhe më pas i kishin mbyllur derën me çelës duke e mbajtur aty me forcë.
“Shpresoj që çështja të mos jetë e agravuar. Nuk kam besim te prokuroria, aty hyra për tu njohur me një urdhër, përfundova në një deklarim që ma kërkuan, pasi pranova, mu kërkua që të dorëzoja telefonin. Aty nuk i kisha telefonat, i kisha lënë në një kafe, nuk i kisha fshehur siç tha SPAK, por i lashë aty për të hyrë më pas në SPAK. Nuk mund të mbahet një person i mbyllur me çelës për orë të tëra e të mos dalë jashtë
Disa situata nuk i kam provuar ndonjëherë. Jam gazetar që jam pyetur 11 herë. Mu bë një pabesi aty brenda, se shkova për diçka tjetër“- tha Qyno.
Gazetari theksoi se nëse hapen bisedat e SKY do shpërthejë një vullkan dhe SPAK kërkon ta ndalojë këtë duke përdorur forcë e dhunë.
Sipas tij, SPAK përdori këtë lloj forme që të mos dalë asnjë bisedë për zyrtarë apo grupe kriminale pa u seleksionuar nga prokuroria.
Sot për sot në SPAK dosjet më të nxehta janë ato të bisedave të SKY. Nëse hapen bisedat e SKY, aty do të shpërthejë një vullkan. Dhe për të ndaluar këtë, me forcë, dhunë, u bë kjo lloj forme që të mos dalë asnjë bisedë pa u seleksionuar nga prokuroria e SPAK, për zyrtarë apo grupe kriminale.
Unë kisha përparuar me këto biseda të SKY, dhe ata nuk i kishin prekur me dorë këto biseda dhe ata ndërhynë në këtë mënyrë të dhunshme, në mënyra që nuk i është bërë ndonjëherë ndonjë gazetari.
Më kanë kontrolluar në shtëpi, makinë, jam kontrolluar fizikisht në zyrë dhe më pas në ambientet e punës. Janë 4 kontrolle të bëra.
Edhe vendimet i kanë nxjerrë brenda ditës. Unë rrija në zyrë i mbyllur, këta bënin shkresa dhe më pas gjyqtarja Atalanta Zeqiraj i firmoste me të shpejtë dhe më pas shkuan e bënë kontrolle e sekuestrime”-deklaroi gazetari Elton Qyno në SYRI TV.