Interesi për projekte investimi në energjinë diellore është rritur në mënyrë domethënëse nga biznesi dhe tashmë kjo po reflektohet qartë edhe nga kërkesat që po dorëzohen për të përfituar statusin si investitorë strategjikë.
Teksa më herët dominonin kërkesat për fshatrat turistikë, në dy mbledhjet e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike kanë dominuar projektet e energjisë. KIS zbardhi tetë vendime, të gjitha projekte potenciale energjie, që kanë kërkuar përfitimin e statusit të investimit strategjik por vetëm për një prej tyre është dhënë miratimi.
Të paktën shtatë projekte me vlerë të parashikuar investimi rreth 700 milionë euro nuk janë pranuar nga KIS për të përfituar status ndërkohë që kapaciteti i instaluar i parashikuar për to është 940 MW.
Komiteti ka pranuar vetëm një kërkesë të bërë nga një subjekt që ka aktualisht statusin e investitorit strategjik dhe që ka integruar në projektin aktual një impiant agrivolatik. Bëhet fjalë për Agorilira Group e cila ka një kontratë aktive me shtetin shqiptar për një fermë me goji berry, shegë, kivi si dhe përfshijnë brenda saj të një agroturizmi e së fundmi të një impianti. Kapaciteti i instaluar është parashikuar 78.4 MW ndërsa vlera e investimit 47 milionë euro.
“Subjekti investues ka nënshkruar me ministrinë përgjegjëse për ekonominë Kontratë Qiraje Nr. Rep 1961, Nr.729 kol, datë 14.06.2022, në të cilën specifikohet se sipërfaqja e dhënë me qira është 496.6 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë pikë gjashtë) ha dhe afati i qiradhënies është 30 (tridhjetë) vite nga data e nënshkrimit.
Subjekti investues propozon, që brenda një pjese të sipërfaqes së marrë me qira, të realizojë një park agrivoltaik me një fuqi të instaluar prej 78.4 MW, i cili nuk do të ndryshojë planin e biznesit të miratuar për aktivitetin bujqësor dhe zhvillimin e agroturizimit dhe as destinacionin e tokës bujqësore, por përkundrazi, duke shfrytëzuar resurset natyrore, do të shtojë dhe do të përmirësojë këtë aktivitet” thuhet në parashtrimin e KIS që ka miratuar tashmë edhe këtë projekt duke vendosur si kusht që të përfundojë brenda 24 muajsh.
Projektet e rrëzuara
KIS ka rrezuar kërkesën e subjektit Solar Energy Cells shpk për një impiant me kapacitet 300MW dhe vlerë investimi rreth 176 milionë euro nën argumentin se projekti përfshin një zonë të mbrojtur.
“Projekti prek në zonë të mbrojtur Peizazh i Mbrojtur ‘Pishë Poro-Nartë’, shpallur me VKM nr. 694, datë 26.10.2022 dhe Zonës me Përparësi Zhvillimin e Turizmit, 2 përkatësisht të Brezit Bregdetar, me sipërfaqe 1518, 95 km2, miratuar me VKM nr. 1, datë 26.07.2018” thuhet në dokument.
I dyti është një projekt 70 MW në Çerrave dhe Buçimas të Pogradecit me një vlerë investimi 31 milionë euro. Në këtë rast për subjektin DH Solar Park” rrëzimi i kërkesës ka të bëjë me faktin që zona e projektit me sipërfaqe prej 139.4 ha nuk ka një regjistrim fillestar në kadastër, mosregjistrim i cili pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve.
Projekti i tretë është në zonën Darëzezë e Re, Bashkia Fier me subjekt Aga Solar me kapacitet 150 MW dhe investim të parashikuar 176.4 milionë euro. Edhe në këtë rast mosmiratimi i kërkesës ka ardhur për faktin që zona e projektit ka regjistrim pjesor kadastral, mospërfundimi i të cilit pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve.
Një tjetër kërkesë e rrëzuar është ajo e Euron SH.P.K.
“Projekti i investimit propozon ndërtimin e një parku fotovoltaik me një fuqi të instaluar prej 50MWp i cili do të ndërtohet në 3 faza, me prodhim vjetor 41.25m KWh në fazën e parë, 66.0m KWh në fazën e dytë, dhe 82.50m KWh në fazën e tretë. Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 37,500,000 (tridhjetë e shtatë milion e pesëqind mijë) Euro “thuhet në vendim.
Në këtë rast KIS ka argumentuar se për zonën prej 53.78 ha në ZK. 3038, në pronësi shtet, për të cilën kërkohet masa mbështetëse e vendosjes në dispozicion të kësaj pasurie shtetërore, rezulton se ka një sërë aktesh ligjore të mbivendosura që e prekin në mënyrë direkte situatën juridike të pronës.
Projekti i radhës është ai i Belshi Solar Park, një kërkesë e Verbund Green Power me kapacitet 100MWp dhe vlerë investimi 60 milionë euro.
“Sipërfaqja në të cilën parashikohet të zhvillohet projekti prek në zonën buferike të një monumenti natyror dhe referuar Ligjit Nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura” në një monument natyror zbatohet shkalla e mbrojtjes e njëjtë me rezervën strikte, duke mos lejuar kryerjen e asnjë aktiviteti njerëzor që sjell dëmtim të ekosistemit.
Projekti i propozuar bie ndesh gjithashtu me parashikimet e Ligjit Nr. 9244, datë 17.06.2004, “Për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore”, i ndryshuar, pasi kategoria e bonitetit të parcelave në të cilat synohet të zhvillohet projekti i investimit nuk lejon ndërmarrjen e veprimtarisë së kërkuar nga subjekti” nënvizon KIS sa i takon rrëzimit të kërkesë.
Një tjetër projekt agrivoltaik i subjektit Fier Helios SHPK është rrëzuar me kapacitet 170 MW dhe vlerë investimi 150 milionë euro i parashikuar në afërsi të fshatrave Fushë, Povelçë, Darëzezë e re dhe Boçovë, Bashkia Fier.
Sipas KIS gjurma e synuar për këtë projekt investimi është e fragmentizuar, e destinacionit “arë” me bonitet të parcelave që fillon nga kategoria III deri tek kategoria X dhe bie 2 ndesh me parashikimet e Ligjit Nr. 9244, datë 17.6.2004 “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, i ndryshuar.
Projekti i fundit që nuk ka arritur të marrë aprovim është për një impiant fotovoltaik me kapacitet 100MWp në fshatin Lubonjë, Bashkia Selenicë me vlerë investimi 66 milionë euro nga subjekti Helios Green Energy shpk. Sipas KIS zona është e pamenaxhuar, e ndarë me Ligjin Nr. 7501 dhe mungesa e regjistrimit i pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor