Një 17-vjeçar britanik, i cili u zhduk pa gjurmë në vitin 2017, është gjetur në Francë dhe do të kthehet së shpejti në shtëpi, sipas autoriteteve franceze.
Alex Batty, nga Oldham, nuk u kthye më nga pushimet në Spanjë me nënën dhe gjyshin e tij kur ishte vetëm 11 vjeç, para rreth 6 vitesh.
Ai u gjet, pasi kaloi gjashtë vjet i humbur, në qytetin Revel në lindje të Toulouse herët në mëngjesin e së mërkurës. Prokurorët francezë thanë se identiteti i tij është konfirmuar nga familja e tij.
Një student tha për mediat franceze se kishte parë një adoleshent , i cili më vonë do të rezultoi se ishte Alex, duke ecur natën në shi dhe i kishte ofruar ta merrte me makinë.
Pasi foli për një moment, Aleksi i tregoi atij historinë e tij dhe tha se kishte ecur në male për më shumë se katër ditë në një përpjekje për t’u kthyer në Angli, shkruan Sky news.
Duke folur për Le Depeche, ai tha: “Minutat e para, ai dukej pak i turpshëm. Ne u përpoqëm të flisnim në frëngjisht, por vura re se ai nuk e fliste gjuhën.
“Vendosa të komunikoja në anglisht. Kur e pyeta se si quhej, ai tha se quhej Zac dhe më pas vazhduam të bisedonim. Ne folëm për më shumë se tre orë. Ai më dha identitetin e tij të vërtetë, Alex Batty, përpara se të më shpjegonte historinë e tij”, zbuloi ai.
Ai tha se Alex i kishte thënë se ishte rrëmbyer nga nëna e tij dhe kishte jetuar në një shtëpi luksoze në Spanjë me rreth 10 persona si pjesë e një “komuniteti shpirtëror”, duke mbërritur në Francë rreth vitit 2021.
Alex shkoi jashtë vendit me nënën e tij Melanie Batty, 38 vjeç dhe gjyshin e tij David Batty, 59 vjeç, në një udhëtim në vitin 2017. Ai fluturoi me ta në aeroportin e Malagës për një qëndrim njëjavor në zonën Benahavis pranë Marbella. Megjithatë, familja nuk u kthye në Angli siç pritej në tetor 2017.
Pavarësisht apeleve publike ndërkombëtare, kujdestari ligjor i Alex, gjyshja e tij Susan Caruana, nuk e kishte parë atë që kur u largua nga Britania.
Policia e Mançesterit tha se ishte në kontakt me autoritetet franceze. Një zëdhënës i autoriteteve tha: “Ky është një hetim kompleks dhe afatgjatë dhe ne duhet të bëjmë hulumtime të mëtejshme, si dhe të vendosim masat e duhura mbrojtëse”.