Nga 2024 nuk pritet të këtë dyfishim të çmimit të biletës së autobusit në Tiranë.
Dyfishimi i çmimit të biletës së autobusit nga 40 lekë në 80 lekë vjet u kërkua disa herë nga përfaqësuesit e linjave urbane për shkak të situatës së rënduar financiare nga shtimi i kostove dhe rënia e të ardhurave nga ulja e numrit të pasagjereve.
Vendimi për ndryshimin e çmimeve merret nga Këshilli Bashkiak. Për të mbuluar kostot nga çmimi i shtrenjtë i naftës dhe rënia e të ardhurave operatorët e sektorit urban do të mbështeten përgjatë 2024-s me subvencionim të bashkisë.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni tha për Monitor se dhënia e subvencionimit nga bashkia e Tiranës bëhet me qëllim mbulimin e të ardhurave të munguara nga dyfishimi i çmimit të biletës.
“Sektori aktualisht e ka të pamundur të mbijetojë në këtë situatë, me rritje të shpenzimeve nga çmimi i naftës që ende mbetet i lartë, rritja e pagave të punonjësve dhe me rënie të ardhurave nga ulja e numrit të pasagjerëve. Ndërsa çmimi i biletës është në vlerën 40 lekë. Nga operatorët është kërkuar të dyfishohet çmimi. Bashkia ka vendosur të mos ketë rritje të çmimit, pra çmimi i biletës nuk do të ndryshojë. Të ardhurat e munguara nga rritja e çmimit të biletës përgjatë vitit 2024 pritet të subvencionohen nga bashkia. Masa e subvencionimit për operator parashikohet të jetë në varësi të llogaritjeve që do të bëhen bazuar te shpenzimet, kostot e operatorit, iteneraret e linjave dhe numrit të pasagjerëve”, tha ai.
Edhe në relacionin e projektbuxhetit 2024 për shërbimin e transportit publik përfshihet si objektiv subvencionim i operimit të shërbimit të transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës, për shkak të mos mbulimit të kostove të operimit, ardhur si pasojë e reduktimit të volumeve të udhëtarëve për shkak të pandemisë Covid -19 si dhe për shkak të krizës energjetike që solli rritjen e çmimit të naftës.
Ndër faktorët që ndikuan vjet në shtimin e kostove ishte shtrenjtimi i lartë i çmimit të naftës.
Ndërsa pas pandemisë së Covid-19 sipas kryetarit të shoqatës Kostandin Foni shërbimi publik urban vijon të mbetet me numër të reduktuar të pasagjerëve dhe kosto të shtuara nga mungesa e fuqisë punëtore.
“Aktualisht numri i pasagjerëve është 35% më pak se viti periudha para pandemisë së covid-19. Arsyeja kryesore e rënies së numrit të pasagjerëve mbetet largimi i popullatës në emigracion. Një faktor tjetër mbetet edhe konkurrenca e pandershme nga linjat rrethqytetase që marrin pasagjerët e linjave urbane të Tiranës”.
Sakaq edhe sektori i transportit vuan mungesën e fuqisë punëtore. “Shumica e punonjësve, si: shoferë, dispeçer, faturino, kontrollor kanë ikur masivisht në emigracion. Të gjithë mendojnë si të gjejnë mënyrën si të largohen. Arsyeja kryesore e emigracionit janë pagat e ulëta. Krahasuar me rritjen e çmimeve, pagat e punonjësve nuk kanë pësuar rritje të lartë. Operatorëve gjithashtu kostot u janë dyfishuar, ndërsa të ardhurat janë të njëjta si para pandemisë”, nënvizoi Foni.
Që pas pandemisë së Covid-19 sektori urban është mbështetur me 2 paketa antikrizë. Paketa e parë u zbatua për shkak të krizës nga pandemia. Vjet u zbatua edhe paketa e dytë në ndihmë të sektorit me rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor, pas shtrenjtimit të çmimit të lartë të naftës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor