Anëtarët e një jurie diskutuan të premten për të dytën ditë me radhë për të përcaktuar se çfarë shume duhet të paguajë Rudy Giuliani ndaj dy ish-zyrtareve të zgjedhjeve në Xhorxhia lidhur me akuzat për përhapjen e gënjeshtrave për ta pas zgjedhjeve të vitit 2020 që shkaktuan një valë kërcënimesh raciste dhe dëmtuan jetët e tyre.
Juria e shqyrtoi çështjen për më shumë se tre orë të enjten, pas një gjyqi tre-ditor në gjykatën federale të Uashingtonit. Zoti Giuliani tashmë është shpallur përgjegjës për shpifje për këtë rast dhe juria po shqyrton vetëm për dëmshpërblimin që ai duhet të paguajë, përcjell VOA.
Wandrea “Shaye” Moss dhe nëna e saj, Ruby Freeman, po kërkojnë dhjetëra miliona dollarë dëmshpërblime lidhur me pretendimet e rreme të zotit Giuliani që i akuzoi ato për mashtrime me votat ndërsa ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut po përpiqej të mbante në Shtëpinë e Bardhë republikanin Donald Trump pasi demokrati Joe Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2020.
Ndërkohë, zoti Giuliani përballet me akuza të tjera lidhur me kohën kur shërbente si përfaqësues ligjir i zotit Trump.
Zoti Giuliani ka vazhduar të përsërisë teorinë e rreme të konspiracionit ku pretendon se dy gratë ndërhynë në zgjedhjet në Xhorxhia, përfshirë komentet e bëra të hënën para gazetarëve pas fillimit të gjyqit, argumentuan avokatët e dy grave në deklaratat përmbyllëse.
Avokatët kërkojnë një dëmshpërblim prej të paktën 47 milionë dollarësh për ato që dy gratë përjetuan si rezultat i frikësimeve dhe kërcënimeve të jetës së tyre.
Avokati i zotit Giuliani ka pranuar se klienti i tij kishte gabuar, por ka këmbëngulur se ai nuk ishte plotësisht përgjegjës për problemet me të cilat u përballën gratë. Dëmshpërbilmet që kërkojnë gratë janë padrejtësisht të larta dhe do ta shkatërronin financiarisht zotin Giuliani, argumentoi avokati mbrojtës.