Ish-kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një intervistë për gazetarin e Ora News Isa Myzyraj ka folur për kallëzimet ndaj saj në SPAK, por edhe për sendet e sekuestruara.
Kryemadhi nuk zbuloi llojin e sendit por tha se ka të bëjë me kallëzimet e bëra prej saj.
Pjesë nga intervista:
Isa Myzyraj: E keni apeluar një proces gjyqësor në GJKKO. Për çfarë bëhet fjalë?
Monika Kryemadhi: Ka të bëjë me një send i cili ka të bëjë lidhje me kallëzimet e mija, kjo është, do të keni në të ardhmen…
Isa Myzyraj: Pra, SPAK i ka sekuestruar diçka Monika Kryemadhit?
Monika Kryemadhi: Po ka marrë një send i cili ka të bëjë me kallëzimet e mija.
Isa Myzyraj: A jeni e shqetësuar ju për këtë send?
Monika Kryemadhi: Fare, përkundrazi, nëse ai send do të merret si provë do t’i shtohet më shumë kallëzimeve dhe argumenteve të mija që unë kam menduar se do t’i nxirrja pak më vonë
Isa Myzyraj: Është marrë në shtëpinë tuaj apo në një ambient tjetër?
Monika Kryemadhi: Nuk ka rëndësi!
Kryemadhi: Kallëzimet penale që janë bërë ndaj meje dhe familjes sime nga rrogëtarë të Erion Veliajt. Njëri është një i ashtuquajtur avokat që është i dënuar nja 8 herë për mashtrim dhe falsifikim, një tjetër është rrogëtar i Bashkisë së Tiranës. Ato janë në një proces.
Isa Myzyraj: A jeni e shqetësuar për këto kallëzime?
Monika Kryemadhi: Jo fare nuk më shqetësojnë. Pasi nuk kam asgjë për të fshehur dhe të gjitha janë fake, sepse off-shoret e Qipros, dhe paratë ruse janë rrëzuar automatikisht edhe mediatikisht. Por unë do të krijoj të gjithë infrastrukturën qeverisë shqiptare pasi më pas vijnë edhe dëmshpërblimet financiare qe me “Top Channel” që e kam nisur kërkesën për dëmshpërblim me 400 000 euro dhe do të vijnë duke u rritur, dhe bashkëpunimi im me drejtësinë do të jenë maksimale. Kjo është një Strategji e imja ligjore dhe financiare, sepse këta njerëz të cilët kanë bërë padi të rreme do të përgjigjen financiarisht.